Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar që të  ndërpritet  koncesioni i sterilizimit para afatit.

Kjo kërkesë ka ardhur pas dosjes së hapur nga SPAK për shkeljet e nxjerra në dritë të cilat sollën arrestimin e ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin, Ilir Rrapaj.

Gjykata i kërkon ILDKP-së marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare datë 2 dhjetor 2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndëtësisë, përfaqësuar nga Ministri Z.Ilir Beqaj dhe shoqërisë “SaniService” sh.p.k. të përfaqësuar nga administrator Admir Daca.

Pas hetimeve të nisura në 1 janar 2020, SPAK pretendon se ka gjetur elementë të veprave penale “shpërdorim detyre” e “falsifikim dokumentesh” nga zyrtarët, ku përfshihen Rjepaj, Saimir Kadiu, drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për të gjithë këta zyrtarë, gjykata shprehet në vendim se duhet të zhvillohet një hetim pasuror për të parë nëse kanë pasur përfitime nga veprat penale që kanë kryer.