
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar GJKKO ka reaguar sot në lidhje me pretendimin e Erion Veliajt se prokurori Ols Dado e kishte quajtur “ndyrësirë”.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, pas verifikimeve të kryera në sistemin audio të seancës gjyqësore të datës 12 shkurt 2025, për marrjen në pyetje të të pandehurve, si dhe në procesverbalin zyrtar, nuk rezulton që prokurori Ols Dado të ketë përdorur fjalën “ndyrësirë” në intervalin kohor të cituar nga Veliaj (6:34:02 PM – 6:34:57 PM).
Gjykata ka theksuar se informacioni i shpërndarë nga i hetuari nuk është i vërtetë dhe vjen si përgjigje ndaj kërkesave për informacion të paraqitura në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur çështja ndaj Erion Veliajt vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike, duke nxitur debate të shumta mbi transparencën dhe vërtetësinë e informacionit të shpërndarë në rrjetet sociale.