Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë sot detaje të reja nga vrasja e biznesmenit vlonjat, Bledar Birçaj, në 10 maj 2021.

I riu u ekzekutua në makinë ndërsa ndodhej së bashku me dy miqtë e tij, njëri prej të cilëve efektiv policie. Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, Birçaj njihej në Vlorë si biznesmen. Ai ishte duke ndërtuar një objekt hotel katër katesh në zonën e Ujit të Ftohtë në qytet, por ndërkohë ishte edhe pronar i lokalit të njohur ‘The Boss’.

“Në Shënjestër” zbulon jetën e dyfishtë të viktimës, mes Shqipërisë dhe Spanjës, si dhe lidhja e vrasjes së tij, me disa vrasje të tjera që ndodhën menjëherë më pas.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni “Në shënjestër”, një nga pistat më të besueshme në lidhje me vrasjen e Bledar Birçaj, mendohet të jetë aktiviteti i tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku dyshohet se ai i ka grabitur grupit kundërshtar një sasi kokaine që po vinte nga vendet e Amerikës së Jugut

Viktima thuhet se jetonte më të shumtën e kohës së tij, në Spanjë, fakt ky që konfirmohet edhe nga vetë e dashura e tij. Ajo pohon se Birçaj jetonte gjatë në gadishullin Iberik, Por pa dhënë detaje se cila ishte puna e tij në këtë vend, apo cilët ishin personat me të cilët ai shoqërohej.

Pjesa e parë e dokumentarit

Bledar Birçaj nuk ishte i panjohur me fatin e tij. Ndoshta nuk e kishte menduar aq të shkurtër dhe për këtë duket se kishte marrë edhe masat për t’i paraprirë një sulmi të mundshëm.

Ashtu u gjet edhe në sallën e operacionit, atë ditë të 10 majit 2021, kur ndërsa trupi i tij dergjej në tavolinën e kirurgjisë, mjekët konstatuan bashkë me trupin e tij të pajetë edhe një armë zjarri të tipit pistoletë.

I ndjeri mbante pistoletën me vete, kudo që lëvizte si një truprojë që do ta mbronte nga kush e di se kush.
Por ndërsa 38-vjeçari, mendonte se i kishte marrë të gjithë masat e duhura për t’i krijuar vetes një mbrojtje që të paktën do t’i shpëtonte jetën. E kundërta ndodhi, pasi atë nuk e shpëtoi dot as pistoleta që mbante në brez, por as miqtë e tij që ndodheshin në momentin e atentatit me të në makinë.
Madje as fakti që njëri prej tyre kishte qenë dikur një efektiv policie në radhët e bluve të Vlorës, qyteti ku Birçe ushtronte aktivitetin e tij të paligjshëm.

Po ku duket se ishte përzier në punë të mëdha në trafikimin e lëndëve narkotike, edhe jashtë Shqipërisë, e deri në Amerikën e largët të Jugut, çka thuhet se solli edhe fundin e tij.
Një fund që siç thamë erdhi në mesditën e 10 majit e vitit 2021.

Vetëm pak minuta pasi Bledar Birçaj kishte konsumuar një kafe në një nga lagjet e qytetit të Vlorës, bashkë me dy miq të tij, të cilët iu bashkuan në mjetin e tij tip BMW për të bërë një xhiro me makinë, ndërpre në mes nga breshëria e gjatë e plumbave të dala nga një armë kallashnikov.

“Ngjarja ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Bledar Birçaj, i datëlindjes 17 Janar 1983 ndodhi në orën 12.59, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, pranë karburantit të Esat Spahos. Persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip BMË model X5 me targë AB 797 CS, në pronësi të viktimës”, thuhet në dosjen hetimore.

Vrazhdësia me të cilën makina e drejtuar nga Birçaj, u qëllua si edhe saktësia, duke goditur vetëm mbi objektivin dhe jo mbi udhëtarët e tjerë në automjet. Kjo tregon asgjë më shumë përveç faktit që qitësit ishin profesionistë dhe se kishin informacion të plotë për lëvizjet e viktimës.

Vetë grupi hetues gjatë mbikqyrjes së vendit të ngjarjes, gjeti 29 gëzhoja, ndërsa automjeti rezultoi se u shpua 24 herë nga plumbat. Nga 24 plumbat, 7 plumba prej tyre dyshohet se i morën jetën Bledar Birçajt.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan 29 gëzhoja model 56, kalibri 7.62 mm, kurse në automjet u evidentuan 24 vrima të shpimit me armë zjarri. Në Spitalin Rajonal Vlorë në sallën e operacionit viktimës iu gjet në brez një armë zjarri e tipit pistoletë Bereta, kalibër 9 mm me krehrin e vendosur në armë”, thuhet në dosjen hetimore.

Dosja hetimore tregon se Bledar Birçaj, lëvizte i armatosur, sikurse edhe ditën e fundit, kur ra në pritën e atyre që ishin armiqtë e tij.

Por kush ishte Bledar Birçaj dhe pse ai ishte kaq i rëndësishëm për armiqtë e tij, deri aty sa të mendonin eliminimin e tij?

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, Birçaj, njihej në Vlorë, si biznesmen.
Ai ishte duke ndërtuar një objekt hotel katër katësh, në zonën e Ujit të Ftohtë, në qytet, por ndërkohë ai ishte edhe pronar i lokalit të njohur ‘The Boss’, i cili ndodhet në ish-kompleksin ‘Oslo’.

Lokali nga ku doli me dy shoqëruesit e tij, pasi kishte konsumuar një kafe me ta, edhe mesditën kur ra pre e breshërisë së gjatë të plumbave. Itinerar i cili është përcaktuar edhe nga grupi hetues, por edhe nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë dokumentuar të gjithë lëvizjen e makinës tip BMW X5 me targa të huaja, me të cilën Birçaj lëvizte.

Makina që u qëllua vetëm pak minuta sapo mori unazën e qytetit, pranë një pike të furnizimit me karburant, sipas grupit hetues nga dy persona të armatosur.

“Makina me viktimën, Bledar Birçaj, ka kryer itinerarin e lëvizjes nga bar ‘The Boss’, më pas në unazën e qytetit. Te vendi i quajtur karburant ‘Bolv Oil’, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, makina është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të cilët më pas janë larguar”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra siç shihet edhe nga lëvizja e makinës së Bledar Birçaj, autorët ishin të informuar mbi faktin që ai do të dilte nga lokali I tij.

Mendohet që një person i tretë që mund të ketë qenë në brendësi të lokalit, apo jashtë tij, të ketë informuar grupin e qitësve mbi lëvizjet e fundit të shënjestrës së tyre.

Dinamikë e cila përforcohet edhe më shumë nga lëvizjet që ka kryer makina e vrasësve, të cilët, siç rezulton, nuk e kanë ndjekur gjahun e tyre që në momentin që ai dalë nga lokali në pronësi të tij, por e kanë pritur në vendin ku edhe ndodhi krimi.

“Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se autorët kanë përdorur një automjet Mercedez Benz C-Class, me ngjyrë gri me disqe alumini në formë ylli, me baxha lart, me xhama të zinj dhe me targa AB 647 AN, të cilat rezultojnë të vjedhura në qytetin e Fierit. Itinerari i lëvizjes së makinës së autorëve është nga vendngjarja, rrugës për në fshatin Kaninë dhe nga aty janë futur në pjesën e Bypass për të dalë te varrezat e qytetit dhe më pas në fshatin Risili”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas grupit hetues, gjurmët e fundit të makinës së autorëve të vrasjes së Bledar Birçaj, përfundojnë në vendin e quajtur Bishti I Malit në fshatin Armen, të Vlorës, aty ku janë pikasur nga një tjetër kamera sigurie të një subjekti privat. Atentatorët mbanin maska në fytyrë kishin llogaritur gjithçka.

Ata e kanë parkuar makinën e tyre fillimisht në krah të pikës së karburantit, aty ku mendonin se ishte vendi më i mirë për t’i zënë pritë viktimës së tyre.

Vetëm pak sekonda më pas, pasi kanë marrë informacionin se makina me Birçaj po afrohet pranë vendit ku ata ndodheshin, ata shikohet teksa dalin nga automjeti i tyre dhe i afrohen makinës së shënjestrës, që tashmë ishte vetëm pak hapa larg tyre. Ndërkohë, një makinë tjetër përpara asaj të viktimës, duket sikur e ndalon të shtojë shpejtësinë.

Autorët pasi kanë dalë nga makina fillojnë të hapin zjarr pa reshtur. Me të përfunduar sulmi i parë me armë, njëri prej autorëve futet në makinë, ndërsa autori i dytë vendos të lërë në tokë armën kallashnikov dhe të nxjerrë nga brezi armën pistoletë.

Pikërisht në këtë moment, një person i dytë hap derën e pasme të automjetit të drejtuar nga Birçaj dhe tenton të dalë nga aty, çka bëri që autori i mbetur jashtë makinës së vrasësve të fusë me nxitim në brez pistoletën dhe në panik e sipër të tërheqë armën kallashnikov që kishte lënë në tokë.

Personi i cili hapi derën e pasme të automjetit të viktimës, rezultoi të ishte një oficer aktiv policie, i identifikuar si Granit Deromemaj. Ai shërbente në sektorin e antidrogës në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës. Në bazë të verifikimeve të kryera, ai nuk ishte personi i vetëm në makinë, bashkë me të, në makinë me Bledar Birçaj, në momentin e atentatit, ndodhej edhe shtetasi Edison Zenelaj. Ky i fundit një personazh me rekorde penale. Deromemaj u shkarkua menjëherë nga radhët e policisë me urdhër në atë kohë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, me motivimin se shoqërimi i tij me persona me precedentë penalë ul reputacionin e policisë.

Deromemaj, në shpjegimin e tij para kolegëve të policisë, tha se me viktimën, Bledar Birçaj, njihej që në vogëli dhe se nuk kishte njohuri për aktivitetin e tij kriminal.

“Unë viktimën Bledar Birçaj, e njoh që nga fëmijëria. Ditën e ngjarjes unë isha në kafe me të. Pasi mbaruam kafenë vendosëm të bëjmë një xhiro me makinë, kur edhe ramë pre e atentatit”, shprehet Granit Deromemaj.

Në momentin e atentatit, thuhet se Deromemaj ishte i armatosur, por ai nuk e përdori në asnjë moment armën e shërbimit për t’u mbrojtur. Pavarësisht shpjegimit të tij se me viktimën njihej nga fëmijëria dhe nuk kishte informacion për aktivitetin e tij të paligjshëm, kjo e nuk e shpëtoi atë nga përjashtimi në radhët e policisë së Shtetit.

Ashtu si polici Deromemaj dhe pasagjeri tjetër në automjet, Edison Zenelaj, tha se e vetmja gjë që mund të bënin në atë moment ishte të përkuleshin dhe t’u shpëtonin plumbave që po vërshonin drejt tyre.

“Në lidhje me ngjarjen u pyetën në cilësinë e personave që po udhëtonin në automjet me viktimën në momentin e sulmit me armë, punonjësi i policisë Granit Deromemaj dhe shtetasi Edison Zenelaj. Ata sqaruan se pranë karburant ‘Bolv Oil’ kanë parë që t’i afrohen mjetit me të cilin ata udhëtonin, dy persona të maskuar me kapuç, të cilët mbanin në duar armë zjarri automatik dhe pasi dëgjuan të shtënat thonë se përkulën për t’u vetëmbrojtur”, thuhet në dosjen hetimore.

Pjesa e dytë e dokumentarit

Cili ishte aktiviteti i vërtetë i Bledar Birçaj? Çfarë fshihej pas kostumit të atij apo të atyre që në Shqipëri njihen si biznesmenë, por që në fakt biznesin e tyre të vërtetë kanë punët e paligjshme dhe cila ishte lidhja e vrasjes së 38-vjeçarit, di dhe me disa vrasje të tjera që ndodhën menjëherë në Vlorë, pas eliminimit të tij?

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’ një nga pistat më të besueshme në lidhje me vrasjen e Bledar Birçaj, mendohet të jetë aktiviteti i tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Viktima thuhet se jetonte më të shumtën e kohës së tij, në Spanjë. Ky fakt konfirmohet edhe nga vetë e dashura e tij, e cila pohon se Birçaj, jetonte gjatë në gadishullin Iberik, por pa dhënë detaje, se cila ishte puna e tij në këtë vend, apo cilët ishin personat me të cilët ai shoqërohej.

“Unë jam e lidhur prej disa kohësh me Bledarin. Më duhet të them se ai jetonte kryesisht në Spanjë. Unë nuk kam ndonjë informacion për lidhjet apo për problemet e tij, ashtu sikundër nuk kam dijeni në lidhje me atentatin dhe kush mund ta ketë kryer”, tha e dashura e tij.

Ndërsa e dashura jepte këto të dhëna, tejet të vakta, për ato çfarë kërkonin në të vërtetë grupi hetues, ajo që u mësua është se diçka e madhe kishte lëvizur në botën e narko-trafikut, ku ishte përfshirë edhe vetë Birçaj.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, dyshimet më të forta, janë se Birçaj ka grabitur një sasi të madhe droge, të cilën grupi kundërshtar po e sillte nga Amerika e Jugut, çka duket se ka sjellë një humbje të konsiderueshme për pritësit e këtij malli.

Arsye për të cilën mendohet se ky grup ka porositur dhe organizuar ekzekutimin e Bledar Birçaj, duke u hakmarrë ndaj këtij të fundit. Kjo është edhe një nga pistat në të cilat policia po heton edhe sot në lidhje me vrasjen e 38-vjeçarit, por duke iu kthyer njohjes dhe lidhjes që viktima, Bledar Birçaj kishte me efektivin antidrogës, Granit Deromemaj, ky i fundit tha se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë aktiviteti kishte miku I tij jashtë vendit.

“Unë siç ju thashë e njoh që në fëmijëri, viktimën Bledar Birçaj. Unë mund t’ju them se nuk kam asnjë informacion për problemet që viktima kishte jashtë vendit, dhe po kështu dua të them se nuk i kam ofruar asnjë ndihmë në këtë aktivitet”, është shprehur Granit Deromemaj.

Sa i besueshëm ishte efektivi i antidrogës në thëniet e tij për aktivitetin e panjohur në dijeninë e tij, të mikut që nga fëmijëria, kjo mbetet për t’u hetuar nga grupi hetues. E e vërteta është se në lidhje me ekzekutimin e Birçaj, policia vazhdon të hetojë për vrasje për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale në çështjet e trafikut të drogës.

Në lidhje me hetimet që duket se janë komplekse dhe të vështira, grupi hetues kërkoi informacion edhe nga operatorët e kompanive telefonike në Shqipëri, për të parë se cilët ishin numrat e loguar në koordinatat e lëvizjes së makinës së viktimës dhe të autorëve, ku u kaluan në sitë antenat telefonike që mbulojnë 14 koordinata që lidhen me itinerarin e lëvizjeve të dy makinave të përfshira në atentat. U analizuan 1982 thirrje, apo mesazhe telefonike, por në asnjë rast sipas grupi hetues, nuk pati shkaqe të besueshme, që të ndihmonin në identifikimin e autorëve të ngjarjes.

“Në funksion të hetimeve të këtij procedimi u është kërkuar disa kompanive telefonike celulare të dhëna mbi fluksin e thirrjeve hyrëse-dalëse, Sms, Mms, Gprs, si dhe Imei-in të numrave që janë loguar në antenat që mbulojnë 14 koordinata dhe i është bërë shkresë Sektorit të mbledhjes dhe përpunimit të informacionit në Drejtorinë Hetimore Qendrore për analizimin e këtyre të dhënave. Me procesverbalin e këqyrjes së të dhënave nga ky sektor jemi njoftuar se numra të njëjtë që janë loguar në koordinata të ndryshme janë 1982 në 15 koordinata të ndryshme”, thuhet në dosjen hetimore.

Ndërsa grupi hetues bëri zhvilloi këtë krehje të thirrjeve telefonike, paralelisht kërkoi të gjejë gjurmë krahasimi edhe midis armëve të regjistruara në sistemin e tyre, dhe armës që u përdor në krim, por edhe ky kërkim duket se rezultoi i kotë. Kjo pasi autorët mendohet se qëlluan me një armë e cila nuk ishte përdorur në krimet e mëparshme, çka mund ta ndihmonte grupin hetues në shkuarjen më shpejt drejt identifikimit të tyre.

“Në lidhje me këtë ngjarje janë përpiluar të gjitha vendimet e ekspertimeve ku nga përgjigjet e ardhura deri më tani konkludohet se; Predha e sekuestruar gjatë kqyrjes së kufomës është pjesërisht e dëmtuar, ajo iu përket fishekëve luftarak model 56, kalibër 7.62 dhe për shkak të dëmtimit kjo predhë mund të krahasohet vetëm me armën e zjarrit konkrete e cila e ka qitur dhe jo e vlefshme për krahasim masiv”, thuhet ën dosjen hetimore.

29 gëzhojat e sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga krahasimi në sistemin arsenal nuk rezultuan të regjistruara në këtë sistem, por për t’iu kthyer profilit të Bledar Birçaj dhe lidhjeve të tij me krimin, punët në biznesin e trafikut të drogës nuk ishin të vetme çështje të hapura që ai mund të kishte me ata që tashmë e ndiqnin për ta vrarë.

Birçaj që thuhet se kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja, nuk ishte një emër i panjohur të paktën për policinë shqiptare. Në mars të vitit 2011 ai u arrestua në qytetin e Vlorës, si i dyshuar për vrasjen ndaj shtetasit Artur Tahiraj, ku u mbajt në arrest për 45.

Në muajin prill Gjykata e Vlorës, e zëvendësoi masën ndaj tij nga ‘arrest në burg’ në masën ‘detyrim paraqitje në policinë gjyqësore’ dhe ‘ndalim të daljes jashtë shtetit’ deri në përfundim të hetimeve. Në muajin korrik, po të vitit 2011, Prokuroria e Vlorës vendosi pushimin e hetimit në ngarkim të Bledar Birçaj duke e lënë atë të lirë, çështje për të cilën thuhet se ai mori edhe dëmshpërblim.

Para se kësaj ngjarje, në vitin 2010, Birçaj dhe vëllai i tij ishin proceduar penalisht pasi kishin dhunuar juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në qytetin e Vlorës, personin me inicialet F.H., ku prokuroria në atë kohë nisi procedim penal në gjendje të lirë për dy të rinjtë.
Ndërsa grupi hetues ishte ndalur te vrasja e Bledar Birçaj, vetëm 10 ditë më pas, Vlora gjendet e tronditur nga një tjetër krim, edhe ky i lidhur me luftën e egër që kishte shpërthyer në qytet midis grupeve rivale, që nuk po kursenin asnjë metodë për eliminimin e atyre që ata i konsideronin kundërshtarë.

Viktima e radhës do të ishte Delon Troqe, i cili ashtu si edhe Bledar Birçaj, sapo ishte kthyer nga Spanja. Ai u qëllua mbrëmjen e datës 21 maj, me 15 plumba automatiku, në derën e servisit të tij, prapa pallatit të lojërave me dorë, ‘Flamurtari’, në orën 21.50 në lagjen ‘Pavarësia’ në qytet.

Delon Troqe ishte i afërm me një tjetër viktimë të luftës së bandave në qytet, ai ishte kushëri me Elvis Troqen, i cili u rrëmbye ditën për diell në mes të qytetit të Vlorës, më 17 korrik 2018.

Ditën kur ai kishte vendosur ti prezantonte nënës së tij që kishte ditëlindjen, vajzën me të cilën do të lidhte jetën, ai u rrëmbye në rrugë nga persona të panjohur, për të humbur gjurmët edhe sot. Sipas policisë, rrëmbimi dhe zhdukja e Ervis Troqes, mendohet se u krye për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Të njëjtat pazare të prishura që çuan kohë pas kohe edhe në eleminime të tjera në këtë qytet, vetëm një muaj para se Elvis Troqe të rrëmbehej dhe të zhdukej pa gjurmë, një tjetër rrëmbim i ngjashëm u krye në qytet. Albano Xhaferri kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Belgjika.

A i rrëmbye forcërisht me të dalë nga banesa e tij, mëngjesin e datës 17 qershor 2018 dhe u fut në një makinë, ku thuhet se u vra i qëlluar me një çekiç pas koke. Vrasja e tij u dëshmua nga një prej personave që morën pjesën në rrëmbimin e tij, nga një i penduar i cili rrëfeu për grupin hetues të gjithë skenën e krimit, autorët dhe shkakun pse ishte kryer ky rrëmbim.

Sipas tij, Albano Xhaferri u rrëmbye për prishje të pazareve të drogës dhe vrasja e tij u porosit nga Edison Harizaj apo ndryshe i njohur në Vlorës si Edison ‘Faqedjeguri’, një nga një personazhet më të fuqishëm të krimit në Vlorë.

I lidhur me bandat edhe në qytetin e Durrësit, i cili u ekzekutua edhe vetë më 7 nëntor 2018 në qytetin e Durrësit, ndërsa po kthehej në mbrëmje nga Tirana në drejtim të Vlorës.

Po për t’iu kthyer edhe njëherë vrasjes së Bledar Birçaj dhe atyre që pasuan ekzekutimin e tij, gjithçka thuhet se lidhet pikërisht me luftën për pushtetin e drogës.

Luftë e cila në harkun kohor të pak viteve prodhoi në Vlorë shumë të vrarë por edhe të rrëmbyer, ku sipas statistikave vetëm në vitet 2015-2020 në këtë qytet u rrëmbyen 16 persona si edhe u kryen 34 atentate të bujshme, pa numëruar hedhjen në erë të makinave, apo djegiet e tyre.

Betejë e cila duket sikur për momentin ka ulur armët, por që pikërisht atëherë kur mendon se lufta i ka lënë vend paqes, ajo bëhet edhe më e ndezur.