Ka nisur shqyrtimi i dosjes për vdekjen e Dorjana Hakës, partneres së Alban Hoxhës, e cila ndërroi jetë në nëntor të vitit 2014, pak ditë pasi solli në jetë djalin e tyre.
Nëna e 25-vjeçares ka apeluar për drejtësi, teksa shprehet se uron që gjyqi të mos zvarritet.
“Shpresoj që gjyqi të mos zvarritet. Presim prej vitesh presim fjalën e drejtësisë”, tha nëna e saj.
Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar deklarimin fajtorë të mjekëve Petrit Rexhepi dhe Elona Burba.
Organi i akuzës gjithashtu kërkoi dënimin e tyre me nga 5 vjet burg, njëkohësisht për mjekët u kërkua heqje e të drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë 5-vjeçare.
Gjykata e Tiranës hapi në Tetor të vitit 2015 procesin gjyqësor ndaj dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, të akuzuar për vdekjen e bashkëshortes së portierit të Partizanit, Alban Hoxha.
Dorjana Haka ndërroi jetë në nëntor të vitit 2014, pak ditë pasi kishte sjellë në jetë djalin përmes lindjes cezariane. Të pandehurit në proces, kirurgu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba, akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm” në lidhje me këtë rast.
Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, vdekja e 25-vjeçares ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe moskryerjes prej tyre të analizave të nevojshme para dhe pas operacionit.
Nga tavolina e përfaqësuesit të organit të akuzës, prokurori Erjon Imeraj rindërtoi ecurinë shëndetësore të 25- vjeçares Dorjana Haka nga ditët e fundit të shtatzënisë deri në ditën kur ajo ndërroi jetë
Duke iu referuar një aktekspertimi të kryer nga një grup mjekësh i Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurori tha se e ndjera Dorjana Haka nuk u është nënshtruar analizave paraprake të nevojshme para se të hynte në operacionin e lindjes.
Më tej, referuar hetimit, prokurori tha se nuk kishte pasur rekomandim për kryerjen e analizave, nuk kishte pasur konsultë anestezike paraprake dhe se në rastin e Dorjana Hakës nuk janë zbatuar procedurat e shtrimit.
I pamjaftueshëm u konsiderua nga Prokuroria edhe kontrolli mjekësor pas operacionit të 25-vjeçares.
Shkak i përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të shtetases Dorjana Haka ditën e dytë pas operacionit ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trurit.
Bazuar në të dhënat e përshkruara në kartelën klinike të repartit Obsetrik-Gjinekologjik të Spitalit “Koço Gliozheni” dhe të klinikës së Neurologjisë të Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, pohoi prokurori, rezulton se shkaku i vdekjes së shtetases Dorjana Haka me mundësitë më të mëdha duhet të ketë qenë arresti kardiak, ndalimi i punës së zemrës.
“Nga sa u parashtrua, rezulton e provuar se të pandehurit Petrit Rexhepi dhe Elona Burba kanë konsumuar elementet e veprës penale të ‘mjekimit të pakujdesshëm’, pasi sipas akt-ekspertimit dhe deklarimeve të marra, nuk kanë marrë masat e nevojshme para dhe pas operatore për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të shtetases Dorjana Haka, e cila më pas ka gjetur vdekjen”, thuhej në kërkesën për gjykim.