Thoma Mastora, 69 vjeç, është autori i vrasjes së dy të moshuarve në Dropull, 84 vjeçarin Kosta Ilia dhe gruan e tij Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Sipas policisë, në banesë, aty ku ndodhi vrasja, u gjetën 50 milion lekë të vjetra, të cilat nuk u prekën nga autori, i dënuar më parë për vjedhje.

Ndalimi i tij u bë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”. Thoma Mastora me origjinë mësohet se është nga fshati Portëz i Fierit. Ai është vendosur në fshatin Bodrishtë të Dropullit në vitin 1989 pas martesës me gruan e tij.

Pra, shkoi të jetonte në fshatin e bashkëshortes, ku edhe nisi punë në koperativën e dikurshme. Në vitet ’90 emigroi drejt Greqisë dhe për lehtësi në dokumentacion ka ndërruar emrin. Mbiemrin Mastora e ka marrë prej bashkëshortes së tij. Mësohet se emri i tij i mëparshëm ka qenë Petrit. 69-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për vjedhje ndërsa mësohet se ka shfaqur ndër vite edhe probleme të shëndetit mendor.