Janë zbardhur detaje të reja nga krimi i regjistruar mesditën e të hënës në Vlorë, ku 33-vjeçari Rei Meta qëlloi me grushte deri në vdekje inxhinierin 55-vjeçar Armando Meshau.

Shkaku i sherrit ka qenë një apartament 60 metra katrorë në Radhimë, për të cilën Armando Meshau u shpërblye me 7 mijë euro. Por, që prej kontratës së nënshkruar në vitin 2020, Rei Meta thotë se nuk ka marrë pjesën e tij dhe për një periudhë prej 7-8 muajsh, Meshau nuk i hapte telefonin.

Ndërkohë, duke iu referuar dosjes së Prokurorisë, është zbardhur dhe biseda e fundit mes tyre, para se të ndodhte krimi i rëndë, mesditën e të hënës, rreth orës 11:45, në ambientet e një kancelarie në lagjen “Hajro Cakërri” të qytetit bregdetar.

Mësojhet se Rei Meta i ka folur duke i thënë “Hajde ulu, pimë një kafe”, ndërkohë që ai i është përgjigjur me fjalët “ika se kam punë” dhe ka vazhduar rrugën duke u futur tek interneti ngjitur me lokalin ku ishte ulur 33-vjeçari.

Pas disa sekondash edhe Rei Meta ka shkuar tek qendra e internetit. Brenda ambientit, ai ka parë Armandon, i cili ishte ulur tek njëri nga kompjuterët anësorë të internetit, konkretisht nga ana e fasadës dhe deres hyrëse. Është afruar dhe i ka thënë “hajde pimë një kafe dhe flasim për kontratën që kemi, dhe ai i është përgjigjur me fjalët “Nuk kemi fare çfarë flasim bashkë, ndërkohë që shtetasi Rei Meta i është drejtuar përsëri me fjalët se “kemi kontratën që kam për të marrë një pronë, por Armando i është përgjigjur më fjalët “ik shiko hallin se nuk më bën dot asnjë gjë”.

Rei Meta i ka folur sërisht me fjalët “hajde të ulemi dhe të flasim që të mos merremi me gjyqe, hajde flasim”, ndërkohë që pas këtij debati me njëri-tjetrin, Rei Meta ka deklaruar se në një moment Armandoja është çuar dhe e ka qëlluar me grusht. Në këtë kushte ai sqaron se i është kundërpërgjigjur instiktivisht dhe e ka qëlluar edhe ai me grushta dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pasi është larguar ai ka mësuar më pas se Armando kishte ndërruar jetë dhe në këto kushte është paraqitur vetë në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.