Nëse një burrë pret që një grua të jetë engjëll në jetën e saj, më parë duhet të krijojë parajsën për të. Sepse engjëjt nuk jetojnë në ferr”. Ky është një status që Klodiana Vefa shkruante vetëm pak kohë më parë në një postim në rrjetet sociale.

Nëna e dy fëmijëve, e cila punonte në një piceri në zonën e Castelfiores, në Firenze ku dhe jetonte, ishte tejet aktive në rrjetet sociale. Në mesin e fotove të saj të pafundme, nuk mungojnë as ato me Alfredin, bashkëshortin 45-vjeçar me të cilin duket se donte të ndahej e që dyshohet si autor i vrasjes së saj.

Që nga momenti kur u përhap lajmi se 36-vjeçarja ishte qëlluar për vdekje pak metra larg shtëpisë, miqtë e saj nëpër rrjete sociale kanë vërshuar në komente. Dhimbja për humbjen e Klodianës është përzier me mërinë për njeriun që i mori asaj jetën.

“Janë mësuar ta kenë gruan pronë, se kështu kanë parë në familje. Burrë vemje, jo gjë tjetër. Haram e paç qumështin e nënës!! Pushofsh në paqe, megjithëse nuk e di si mund të gjejë një shpirt paqe pa fëmijët afër! O zot sa e dhimbshme!”