Greqia mbajti këtë të diel raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për bashkitë që nuk arritën dot të zgjidhnin dot kryetarët në raundin e parë.
Rezultatet ishin të rënda kryeministrin Kyriakos Mistotakis. Kandidatët e partisë së tij “Demokracia e Re” nuk u konfirmuan as në Athinë dhe as në Selanik, dy nga bashkitë e mëdha të vendit.
Surpriza më e madhe ishte në Athinë ku kryebashkiaku në detyrë Kostas Bakojanis u mund nga Haris Doukas, një kandidat i mbështetur nga PASOK. Edhe në Selanik, u shpall fitues i balotazhit me 67% të votave, Stelios Angeloudis, që kandidoi si i pavarur, por i mbështetur nga PASOK. Ai mundi Konstantinos Zervas, të mbështetur nga qeveria. Pas daljes së këtyre rezultateve ka reaguar menjëherë kryeministri, Mitsotakis.
“Nuk ishte një natë veçanërisht e mirë për “Demokracinë e re, por konkluzionet politike do të dalin më vonë. Dua të përgëzoj të gjithë drejtuesit e qarqeve dhe kryetarët e bashkive që u zgjodhën dhe t’i siguroj se është detyrë e qeverisë të bashkëpunojë me ta. Presim një bashkëpunim të frytshëm dhe produktiv”, tha kryeministri grek.
“Qeveria duhet t’i ketë këmbët fort në tokë”, theksoi ai, duke iu referuar mesazheve politike që dhanë kutitë e votimit. “Më lejoni t’ju kujtoj se në zgjedhjet nacionale u duk forca e të gjitha partive. Kishte një kundërpërgjigje forcash kundër Demokracisë së re”, shtoi ai, duke vënë në dukje pjesëmarrjen veçanërisht të ulët.
“Unë do të them vetëm një gjë. Qeveria duhet të luftojë me të gjitha forcat e saj me theks në axhendën e saj reformuese. Për ata që nxitojnë të festojnë, më lejoni t’ju kujtoj se para disa muajsh patëm zgjedhje kombëtare në të cilat forca e partive u regjistrua me qartësi absolute”, tha kryeministri grek, duke përfunduar: “Qeveria është këtu për të punuar me ta”.