Pak ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e 86-vjecares Esma Toluli, e cila prej 3 muajsh, sorollatet sa në një hotel në tjetrin, pasi në apartamentin e saj në rrugën “Margarita Tutulani” ka qiraxhi.
Zonja shpjegoi, se ka firmosur disa letra në gjermanisht me mendimin që kishte firmosur se pas vdekjes së saj apartamentin ia linte djalit.
Por me atë firmë djali i ndryshoi pronësinë apartamentit. Esmaja kërkon që të futet në banesë pasi, siç thotë, ajo, kërkon të vdesë aty. “Stop” komunikoi me djalin e Esma Tolulit, Haxhiun, i cili tha, se nëna dhe motrat e kanë mashtruar dhe apartamenti ishte lënë në një bankë të nivelit të dytë si koletaral.
Pa u shlyer ajo kredi, tha Haxhiu, askush nga familja nuk futet në atë apartament.
“Stop” siguroi deklaratën noteriale, që provon, se kredia është shlyer dhe këtë deklaratë ia vumë në dispozicion zotit Haxhi Toluli, por ai nuk reagoi.
“Duke qenë se zoti Haxhi ka ndërprerë komunikimin me motrat dhe nënën e tij, ka qenë “Stop” që e ka vënë në dijeni për zhvillimet më të fundit duke i vënë në dispozicion në rrjetin social Whatsapp, madje deklaratën noteriale mes bankës dhe Shpresa Tolulit. Nga ana tjetër zoti Haxhi refuzon të përgjigjet duke treguar kështu që nuk do ta mbajë premtimin e dhënë”, tha gazetarja Domenika Bajraktari.
“Stop” shkoi sërish tek e moshuara Totuli, e cila ishte vendosur në zonën e Astirit. Kërkesa e saj vijon të jetë e njëjta, të rikthehet në apartamentin e saj.
“Më ka dërguar goca e Gjermanisë lekë. [Djali] erdhi me gjithë gruan e vet dhe jo donte muhabet e kështu edhe unë me anë të shpirtit i thashë këtë. Dua shtëpinë time të vdes ku ka vdekur yt atë. Kaq”, tregon ajo.
Alfred Muharremi, drejtori i Shërbimit Social Tiranë i premtoi 86-vjeçares, që t’i paguajë qiranë dhe t’i sigurojë një avokat, për të ndjekur problemin e saj në rrugë gjyqësore.
“Ajo që ne do të propozonim ishte t’i siguronim menjëherë një strehë duke e marrë të gjithë angazhimin tonë për pagesën e qirasë. Mesa mësuam familjarët kishin bërë për një periudhë 6 muaj qiranë. Shërbimi Social Shtetëror së bashku me Bashkinë e Tiranës, me Drejtorinë e Strehimit do të marrë menjëherë në mbrojtje që pas 6 muajve të jetë e siguruar që kjo pagesë të bëhet nga vetë institucioni. Gjithashtu edhe shërbimi social do i ngarkojë edhe një jurist dhe një avokat për të ndjekur të gjithë çështjen ligjore në lidhje me pretendimin që zonja ka”, tha Muharremi.