SPAK ka lëshuar sot një urdhër-arresti edhe për Ervin Matën i akuzuar si i përfshirë në grup kriminal.

Mata ka qenë një nga personat e shpallur në kërkim për vrasjen e Fabian Gaxha në ambientet e lokalit “Monopol” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë mbrëmjen e 4 tetorit, 2018 që më pas u vetëdorëzua në policinë e Tiranës pas 5 muajsh në kërkim.

Mata atëherë ka deklaruar në polici se ai nuk ka qëlluar dhe u largua nga lokali sapo u dëgjuan të shtënat me armë zjarri. Mata u dorëzua tek blutë e kryeqytetit në prani të avokatit të tij. Gjatë marrjes në pyetje, ai tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës Fabian Gaxha.

Por dy ditë pasi është vetëdorëzuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori. Prokuroria nuk ka qenë dakord me vendimin e dhënë, pasi gjatë seancës zhvilluar me dyer të mbyllura, ka kërkuar arrest me burg. Mbi Matën u ngritën akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Si ndodhi përplasja

Nga përleshja në 2018 në zonën e ish-Bllokut, në lokalin “Monopol”, humbi jetën Fabjan Gaxha, ndërsa u plagosën, Ervis Martinaj dhe i afërmi i tij Eljo (Esmerald) Hato. Në kërkim u shpallën Ervin Mata, komandoja Mervjol Bilo i cili dyshohet se ka kryer qitjet në drejtim të viktimës dhe dy të plagosurve dhe Fabjol Alushi. Ndërsa pak orë pas ngjarjes, në tentativë për t’u larguar drejt Greqisë, u arrestua Geldo Hoti, mik me Ervin Matën.

Bilo u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, por që më pas më gjykimin e shkurtuar, dënimi iu reduktua në 4 vite e 8 muaj burg. Megjithatë edhe pse sot e kësaj ditë në kërkim dhe i pa arrestuar asnjëherë në lidhje më këtë ngjarje, Bilo nuk do të bëjë asnjë ditë burg, pasi gjykata e Tiranës ka vendosur që dënimin me burg ta konvertojë në 4 vite e 8 muaj shërbim prove.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se Merrviol Bilo reagoi me armë për shkak se i rrezikohej jeta dhe u gjykua për plagosje në kushtet e vetëmbrojtjes. Pushimi i akuzës për vrasjen e Fabiol Gaxhës bëhet sepse argumentohet se ka qenë në kushtet e mbrojtjes ekstreme. Sipas prokurorisë është e faktuar se ish-komandos i është rrezikuar jeta natë e ngjarjes në ish-Bllok.