30-vjeçarja Liridona Ademaj, e vrarë më 29 nëntor në periferi të Prishtinës, do të prehet aty ku edhe u lind, në fshatin Rracaj në Gjakovë.

Në ceremoninë e rivarrimit të organizuar në orën 14:00 të kësaj të hëne morën pjesë jo vetëm të afërm e banorë të zonës, por edhe qytetarë e aktivistë të shumtë nga mbarë Kosova, të cilët kërkuan drejtësi për Liridonën. Pjesë e kësaj ceremonie mortore u bënë është shumë politikanë e qeveritarë, përfshi këtu edhe ministrat Xhelal Zveçla, Donika Gërvalla apo Albulena Haxhiu.

Ndërkohë, mediat në Kosovë kanë hedhur dritë mbi të tjera detaje që plotësojnë dinamikën e ngjarjes që i mori jetën 30-vjeçares. Mediat bëjnë të ditur se ndërsa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët darkonin në një lokal në Gracanicë, në kamerat e sigurisë, në ambientet e jashtme të lokalit shfaqet Granit Plava, i cili ka studiuar situatën para krimit.

Pak para se Naim Murseli me familjen të mbaronin darkën, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla dyshohet se kanë lëvizur nga lokali drejt vendit ku ishte planifikuar edhe vrasja e Liridona Ademajt. Dyshohet se ata kanë lëvizur me dy automjete të cilat i kanë ndërruar gjatë rrugës me qëllim për të mos rënë në gjurmët e policisë.

Vrasjen e 30-vjeçares dyshohet se organizoi burri i saj, Naim Murseli, i cili pagoi dy të njohurit të vet për eliminimin e saj, duke inskenuar një grabitje. Të tre autorët e dyshuar janë tashmë në burg me masë arresti 30 ditore.