Deputetja Olta Xhaçka ka mbrojtur investimin e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi në plazhin e Dhërmiut, duke deklaruar se nuk është më e ndaluar që familjarët e politikanëve të merren me biznes.

Në një intervistë për Grida Dumën në Top Channel, Xhaçka tha se biznesi privat i bashkëshortit të saj nuk ka pasur asnjë favorizim nga qeveria, dhe se statusin e investimit strategjik e mori se i takonte, ashtu siç kishin bërë bizneset e tjera në zonën e lakmuar nga bosët e mëdhenj të fushave të ndryshme.

Xhaçka gjithashtu tha se bashkëshorti i saj e “kishte ëndërr” këtë investim, dhe madje ka marrë edhe kredi për ta realizuar.

“Nuk është e ndaluar që familjarët e politikanëve të bëjnë biznes. Nuk jemi në komunizëm. Është një investim që ndodh në një fushë strategjike. Në një pronë private, me leje të marrë…përpara aplikimit të statusit. Ky investim nuk ka pasur nevojë për asnjë lehtësi procedurale. Për shkak se në atë zonë investime të tjera të rëndësishme kishin status strategjik, i lindte e drejta edhe këtij investimi të bënte të njëjtën gjë.

Ky projekt ka qenë ëndrra e tij, patjetër që kemi folur. Ai ka dashur të realizojë një gjë e cila ishte shumë e dobishme për ekonominë atje. Mund të ndërtonte njësi banimi dhe të kishte një fitim shumë të shpejtë, por kursimet e tij, ëndrrat e tij, kreditë bankare…padiskutim që kemi marrë kredi. Nuk di t’ua them sa është”, tha ndër të tjera Xhaçka.