Dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani zbardhi gjashtë vrasje në Shqipëri. Mes tyre është edhe ekzekutimi i Çajup Selimit para shtëpisë së tij në Lagjen “15 Shtatori” 1 Qershor 2021 në Tepelenë.
Dyshohet se dikush e thirri 52-vjeçarin të dilte dhe më pas e ekzekutoi. Sipas policisë në atë kohë, autorët e vrasjes dyshohet të ishin dy persona. Pista e dyshimit mendohet konkurrenca, për shkak të një biznesi që Selimi kishte në hyrje të qytetit.
Drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku deklaroi sot se autorët e vrasjes janë “Laert Haxhiu, Artan Tafani, Erisiana Abedini, Lulzim Spahia, Ligor Romacka dhe Bujar Abdeini”. Bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani ka treguar si e vranë biznesmenin Selimi.
“Në 1 qershor 2021 në Tepelenë, unë së bashku me Laert Haxhiun, Erisiano Abedinin, Lulzim Spahinë, Ligor Romaçkën dhe Bujar Abedinin, kemi ekzekutuar në shkallët e një pallati, Çajup Selimin. Porosinë për këtë vrasje e kishte marrë, Laert Haxhiu, ku me sa mbaj mend shuma ishte paguar 50 mijë euro.
Erisiano Abedini dhe Bujar Abedini, ishin njerëzit që na mbanin në kontakt për sa i përket informacioneve për lëvizjen e Çajupit. Vrasjen zgjodhëm ta kryenim natën, kur Çajupi të kthehej në shtëpinë e tij që e kishte në pallat…”, ka treguar Artan Tafani.