Tetë vite pasi iu nënshtrua Rilindjes Urbane, bulevardi i qytetit të Peshkopisë do të prishet, për t’u rindërtuar nga e para. Bashkia ka kërkuar 182 milionë lekë për rifinancim të projektit, pasi ai i marsit 2016, me vlerë 105 milionë lekë, u shkatërrua brenda një viti nga përfundimi i punimeve.

Dali Ndoka zgjedh me kujdes, ku ta hedhë këmbën mes pllakave të thyera të bulevardit të ri të qytetit të Peshkopisë.

Dikur i shtruar me asfalt, pllakat, që veshën shëtitoren kryesore, “Elez Isufi”, në vitin 2016, u kthyen në një shqetësim për banorët e kësaj zone. Sidomos gjatë stinës së dimrit, si pasojë e ngricave, pllakat e gurit përbënin rrezik për ata që ishin në moshë.

“Për moshën e tretë dhe për mua personalisht bulevardi i ri është një katastrofë. Atje nuk mund të ecësh në kohë normale”, – thotë Dali Ndoka, banor i Peshkopisë.

“Ai bulevard është bërë një rrezik për të gjithë qytetarët. Në Peshkopi ka ngrica gjatë gjithë dimrit dhe aty nuk ke më mundësi që të futesh”, – shton Daliu, pa e fshehur zhgënjimin për ndërhyrjen, së cilës iu nënshtrua bulevardi i qytetit të tij.

Dali Ndoka, banor i Peshkopisë

I njohur për pemët e larta të blirit në të dyja anët e rrugës, bulevardi i qytetit të Peshkopisë iu nënshtrua projektit të Rilindjes Urbane në vitin 2016. Me një fond prej 105 milionë lekësh, kantieri vetëm 600 metra u hap në prag të zgjedhjeve të pjesshme, lokale të shtatorit të po atij viti, që përfunduan me fitoren e kandidatit socialist, Muharrem Rama.

“Shkatërruan historinë e Peshkopisë. Bulevardi i dikurshëm i blirëve, i cilësuar si një ndër më të bukurit në vend, u bë një bulevard i shëmtuar, pikërisht nga kjo ndërhyrje”, – thotë Femiu, një tjetër banor që e sheh me shqetësim degradimin e shëtitores së qytetit.

Sheshet supozohet që të kenë një jetëgjatësi mesatare nga 50 deri në 100 vite, por vetëm 8 vite më pas bulevardi është shkatërruar plotësisht dhe pritet që t`i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje rehabilituese, që përfshin heqjen e pllakave si pasojë e degradimit dhe zëvendësimin e tyre nga e para. Projekti i ri, që përfshin rikualifikimin e sheshit së bashku me fasadat, do të kushtojë 182 milionë lekë të reja dhe do të mbështetet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Punimet pritet që të nisin gjatë muajit gusht dhe do të përfundojnë vitin që vjen, që është sërish një vit elektoral.

Ekspertët sugjerojnë se këto projekte po përdoren si mekanizma për të joshur elektoratin, por edhe për përfitime financiare.

“Qeveria zgjodhi që të zhvillonte qendrat e qyteteve, por, në momentin që këto projekte fillojnë dhe përdoren për përfitime elektorale apo personale, financiare të personave afër pushtetit apo vetë personave me pushtet, këtu kemi problem pastaj”, – thotë Pano Soko, ekspert i ekonomisë.

“Fondet e destinuara për miradministrimin e procesit, pra të ndërtimit të një qendre cilësore qyteti, që do t’i rezistonte kohës, që do t’i jepte një imazh të ri qytetit, u keqpërdorën”, – thotë Soko.

Qeveria shqiptare shpenzoi rreth 600 milionë euro për transformimin e shesheve të qyteteve në të gjithë vendin në kuadër të Rilindjes Urbane. Mes debateve për uniformitet dhe cilësi të dobët të pllakave, që nuk përshtaten me qytetet ku janë vendosur, një sërë qendrash qytetesh, që i janë nënshtruar këtij projekti, kanë shfaqur probleme.

Pedonalja, Peshkopi

Projekti ambicioz i qeverisjes socialiste nisi në vitin 2014 me transformimin e sheshit të qytetit të Beratit, por 2.1 milionë USD të investuar në këtë shesh iu vu kazma 6 vite më vonë, në vitin 2020, por t`u bërë edhe ai nga e para.

“Është e disata herë që janë evidentuar raste të abuzimit me fondet e Rilindjes Urbane dhe këto kanë filluar që me Sheshin Skënderbejnë Tiranë e më pas në pothuajse të gjitha projektet e Rilindjes Urbane, qoftë në Durrës, qoftë në Fier, në Lushnjë dhe tashmë edhe në Dibër”, – thotë Pano Soko.

Investime të çuara dëm

E ndërtuar vetëm 8 vite më parë, pedonalja e Rilindjes Urbane është degraduar totalisht.

Pllakat janë thyer, ndërsa shumica u dëmtuan që në ngricat e para. Si pasojë, gjatë muajit gusht pritet që këtij investimi t`i vihet kazma.

Banorët e kanë shprehur pakënaqësinë për ndërhyrjen që në fillimet e saj. Sipas tyre, nuk ishte e vështirë që të dalloje se punimet nuk ishin cilësore, pasi që në ngricat e para shfaqën probleme. Ata e lidhin nxitimin e ndërhyrjes asokohe me fushatën elektorale, që ishte në prag.

“Bulevardi u bë, që të krijohet një përshtypje te votuesit që unë bëj vepra madhore, por u bë keq dhe pa cilësi”, – thotë Hakiu, një tjetër pensionist.

“Kur ishte i asfaltuar, të paktën ecnim lirisht, pa u penguar, ndërsa tani duhet me ec me shumë kujdes, se shkon dhe thyen qafën”, – thotë i moshuari, teksa tregon pllakat e thyera.

Bashkia e Dibrës ka depozituar një kërkesë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe ka kërkuar financim për ta ribërë bulevardin kryesor të qytetit të Peshkopisë, i cili është edhe arteria kryesore e këtij qyteti, që lidh rrugën “Tercilio Kardinali” me unazën e qytetit.

“Në vijim të kërkesës së bashkisë, një ekip teknik i Fondit Shqiptar të Zhvillimit së bashku me përfaqësues të bashkisë ka zhvilluar disa vizita në terren, me qëllim vëzhgimin e problematikave dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira për përmirësimin e bulevardit, si nga ana funksionale, ashtu dhe nga ana e dizajnit, duke ndjekur procedurat e nevojshme për mbështetjen e bashkisë edhe me projektimin e tij sipas standardeve bashkëkohore”, – pranon Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbështetjen e këtij projekti.

Bashkia e Dibrës sqaron për INA Median se arsyet e kësaj ndërhyrjeje të re lidhen me degradimin e investimit.

“Gjendja aktuale e bulevardit të Dibrës është tepër e amortizuar. Gjithashtu, disa fasada dhe një pjesë e trotuareve kanë nevojë për ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre”, – tha Bashkia e Dibrës në një përgjigje me shkrim për INA Median.

Projekti do të kushtojë 182 milionë lekë të reja, ndërsa fituese e tenderit është shpallur në fillim të muajit korrik kompania “Sireta 2F”, megjithëse 5 operatorë të tjerë paraqitën ofertë më të ulët. Tenderi është shënuar me flamur të kuq, pasi janë përjashtuar të gjithë operatorët e tjerë, përveç fituesit, për mospërmbushje të kriterit të punimeve të ngjashme. Punimet për këtë projekt pritet të zgjasin 12 muaj.

Për Besin, pronar i një bari buzë pedonales, rifillimi i punimeve nuk është lajm i mirë. Sipas tij, kjo shëtitore është pika më e rëndësishme e qytetit dhe ndërhyrja do të krijojë kosto për ta dhe për qytetarët.

“Bulevardi është zemra e qytetit, i vetmi vend ku kalojnë një pasdite banorët e Peshkopisë, – thotë Besi. – Shkatërrimi nga e para do të na bënte rrëmujë të madhe prapë, por, nëse do të bëhet mirë këtë herë, po sakrifikojmë edhe një vit tjetër”.

Për inxhinierin Munir Hoxha projekti i Rilindjes Urbane në Dibër u zbatua keq, duke zgjedhur pllaka dhe gurë të një cilësie të dobët.

Inxhinier Munir Hoxha

“Ky lloj investimi ishte një projekt shkatërrimi. Projekti nisi mbrapsht me zgjedhjen e materialit. Nuk e di kush ishte ideator, që i mori gurët nga Berati, por, edhe ata gurë, që u sollën, janë zgjedhur të cilësisë së fundit.

 

Të gjithë brenda vitit filluan të thërrmohen dhe, jo vetëm pleqtë, por edhe të rinjtë, po ecën pa vëmendje, mund të thyejnë hundët në bulevard”, – thotë inxhinieri, duke sugjeruar se zona ka plot gurë, që mund t`iu përshtaten karakteristikave të klimës së zonës.

Gurë nga Italia për sheshin e Peshkopisë

Sipas preventivit të punimeve, parashikohet që të prishen mbi 10 mijë metra katrorë shtresë prej pllakash guri, për t`u zëvendësuar me të reja.

Pamjet 3D tregojnë se këtë herë do të ketë tre lloje gurësh, për të shmangur një tjetër dështim të projektit, madje njëri do të merret në Itali, njëri, në Bulqizë dhe tjetri, nga Mali i Thatë në zonën e Pogradecit.

“Duke marrë parasysh kushtet klimaterike dhe reshjet e borës, materialet e përcaktuara nga arkitekti për t’u përdorur në këtë objekt, do të jenë: gurë bazalti, guri i Lusernës, guri i Kovashicës, guri i Malit të Thatë”, – detajon relacioni.

Ndonëse vendi ynë është i pasur me lloje të ndryshme gurësh, sipas relacionit, sheshi do të dominohet nga guri i Lusernës, një gur që gjendet në zonën e Torinos në Itali, për shkak të qëndrueshmërisë që ka nga ngricat.

“Ndërsa shumë gurë mund të thithin ujin, i cili më pas zgjerohet, kur ngrin, duke shkaktuar çarje ose thyerje, guri i Lusernës ka kapacitet minimal për të thithur lëngje. Kjo do të thotë se shiu dhe lagështia, që depërton në gur, kanë më pak gjasa që të zgjerohen brenda, duke parandaluar dëmtimet e ngricave, të tilla si çarje”, – argumentohet në relacion zgjedhja e tij.

Në relacionin teknik “Transformimi urban në hapësira publike, rajoni 2, projekt-zbatimi – bulevardi i Dibrës” – pranohet dhe dokumentohet shkatërrimi i këtij bulevardi.

Projekti i Bulevardit të ri të Peshkopisë

“Gjendja aktuale e bulevardit të Dibrës është tepër e amortizuar. Gjithashtu, disa fasada dhe një pjesë e trotuareve kanë nevojë për ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre”, – thuhet në relacion.

Sipas relacionit, projekti konsiston në rikualifikimin urban të bulevardit, si dhe në ndërhyrje pjesore për rikonstruksionin e fasadave përgjatë tij.

Pse u shkatërrua Bulevardi “Elez Isufi”?

Në vitin 2016 projektin për transformimin e bulevardit kryesor të Peshkopisë, kryeministri, Edi Rama, e përdori për të sulmuar kundërshtarët e tij, politikë, duke e cilësuar një sukses të socialistëve. Në postimin e shpërndarë në Facebookasokohe Rama publikoi edhe pamje të projektit, por zbatimi në terren nuk përputhej me projektin fillestar.

Postim i Kryeministrit Edi Rama në rrjetin Social Facebook

“Kur pamë projektin, kishte edhe një shatërvan në të, por nuk e pamë kurrë në realitet, vetëm në foto”, – thotë Femiu, një tjetër banor i Peshkopisë.

Për ekspertët e ekonomisë shkatërrimi i bulevardit në një kohë kaq të shkurtër tregon keqpërdorim dhe abuzim me fondet publike.

“Dëmtimi i bulevardit në një kohë mjaft të shkurtër e dëshmon cilësinë e dobët të punimeve të realizuara, mungesën e mirëmbajtjes së duhur e profesionale dhe krijon shkak se dëmi mund të jetë edhe pasojë nga një abuzim i mundshëm me fondet publike dhe besimin e qytetarëve”, – argumenton Teuta Nunaj, eksperte ekonomie.

Sipas saj, në këtë rast ri-investimi është i domosdoshëm, por paraprakisht duhej të ishte bërë një hetim nga autoritetet përgjegjëse, për të identifikuar shkaqet dhe fajtorët e dështimit të kësaj vepre publike.

“Kërkesa për fonde të tjera do të duhet të argumentohet paraprakisht nga ana e Bashkisë së Peshkopisë, vetëm pasi të jetë bërë një analizë reale nga ekspertë të fushës mbi gjendjen faktike të bulevardit, shkaqet që çuan në dëmtimin e tij, fizik, nëse ka patur masa dhe cilat kanë qenë ato për të shmangur apo për të zvogëluar dëmtimin e bulevardit. Të nxirren përgjegjësitë konkrete të instancave dhe të individëve, që lidhen drejtpërdrejt me mirëmbajtjen e kësaj pasurie publike”, – thotë ajo.

“Duke qenë një vepër e rëndësishme, publike për komunitetin dhe qytetin, nxjerrja e bulevardit jashtë funksionit e bën të nevojshëm ri-investimin e tij, por gjithnjë pasi të jenë identifikuar shkaqet dhe fajtorët”, – thekson ekspertja e ekonomisë.

Të dhënat e Open Procurement tregojnë se projekti i vitit 2016 është financuar nga buxheti i shtetit dhe është zbatuar nga Bashkia e Dibrës. Lidhja e kontratës është bërë më 29 gusht të vitit 2016 dhe, sipas saj, rikonstruksioni i tij duhej bërë brenda 75 ditëve. Kompania fituese e tenderit rezulton ALKO-IMPEX General Construction sh.p.k., me administrator Arbër Abazin.

Ky projekt është financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, më 10 mars 2016, nëpërmjet programit të financimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale.

Në kontratën e sipërmarrjes së vitit 2016 ndër të tjera nënvizohet: “Kontrata lidhet me një vlerë totale 104,789,063 lekë me TVSH. Në situacionin e fundit Autoriteti Kontraktues mban të palikuiduar vlerën 5% të kontratës për efekt sigurie për riparim defektesh, në afat 24 muaj, duke filluar nga data e aktit të kolaudimit e marrjes në dorëzim të punimeve”.

KLSH konstaton shkelje

Në tetor të vitit 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftonte se kishte kallëzuar në Prokurori ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, dhe 4 drejtues të tjerë të këtij institucioni për dëm ekonomik dhe efekt negativ në buxhetin e shtetit nga përdorimi i fondeve publike pa ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet.

Sipas njoftimit të KLSH, shkelje ishin gjetur edhe në projektin: “Rinovimi i infrastrukturës së Bulevardit “Elez Isufi”.

“Është shpallur fitues operatori ekonomik, që rezulton me mungesa të theksuara në dokumentacion”, – argumentonte Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Raporti po ashtu konstatoi se, punimet kanë filluar, para se të dilte leja e ndërtimit.

“Në këto kushte, IMTV duhet t’iu kishte vënë gjobë për ndërtim pa leje, si Bashkisë së Dibrës, po ashtu edhe operatorit ekonomik”, – thotë KLSH.

Ekspertët sugjerojnë se, nëse projektet kanë shkuar keq, riparimi është i domosdoshëm, por fillimisht duhen gjetur fajtorët e abuzimit dhe pastaj të bëhet ri-financimi i projektit.

“Nëse nuk gjenden abuzuesit, atëherë do të kthehet nga abuzimi në abuzim dhe për ta shmangur këtë, duhet ta riparosh patjetër dëmin që është bërë, por duhet ta shoqërosh me një faturë, që t’i shkojë dikujt personalisht; atyre që kanë qenë përgjegjës për projektin”, – sqaron eksperti i ekonomisë.

Për banorët e Peshkopisë po aq i rëndësishëm sa bulevardi është edhe orientimi i projekteve drejt zonave të tjera, të harruara.

“Kush mban përgjegjësi për këtë? Nuk do t’ia dijë njeri, vetëm hidhen lekë kot, kur ka shumë rrugë në fshatra të Peshkopisë, që janë premtuar se do të shtrohen. Duhet vëmendje edhe atje, të ndihmohen edhe këta njerëz. Jam dakord që bulevardi është qendra, duhet rregulluar me patjetër, por të mos abuzojnë në këtë lloj forme”, – thotë Pervizi, banor i Peshkopisë për Ina Media.

Pronari i Sireta 2F i dënuar

“S I R E T A 2F” shpk drejtohet nga persona të dënuar më parë për ryshfet dhe falsifikim. Konkretisht, në dokumente rezulton se pronare është Fatime Pali, por që ka pasur një tjetër aksioner.

Aksioneri i vetëm i kompanisë rezulton se ka qenë Fiqiri Pali, i cili është bashkëshorti i Fatime Palit. Por, më datë 15 maj të vitit 2008, me anë të kontratës së shitjes së kuotave të kapitalit, Fiqiri Pali i ka shitur 100% të kuotave me vlerë 100 mijë lekë bashkëshortes Fatime Pali. Pra, kjo kompani që xhiron miliarda lekë është shitur vetëm për 100 mijë lekë.

Gjithsesi pazaret janë bërë brenda familjes dhe urdhrat vazhdon t’i jap Fiqiri Pali. Ky i fundit njihet për faktin që është dënuar më parë për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh.

Ai arrestua dhe u dënua në vitin 2008, si pjesë e një skeme korrupsioni, ku vidheshin paratë publike me tenderë abuzivë. Skema funksiononte me disa institucione, por policia dhe prokuroria dokumentoi një aferë me Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta. Fiqiri Pali, në bashkëpunim me Llambi Tarka, u akuzuan në atë kohë se korruptuan zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spartak Gjini, duke paracaktuar tenderin e rikonstruksionit të ministrisë dhe duke ndarë fitimet bashkë.

Pali u dënua në 2 maj të vitit 2008. Dënimi i tij është konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Lartë. 12 ditë më pas ai shiti aksionet tek e shoqja, për të shpëtuar kompaninë nga balta.