Nga Kim Mehmeti
Monstruoze por e vërtet: ministri izraelit paralajmëron se ‘hedhja e bombës bërthamore në Gazë është një nga opsionet’ duke shtuar se ata që valëvitin flamurin palestinez ose të Hamasit ‘nuk duhet të vazhdojnë të ekzistojnë në faqen e dheut’?!
Ndërkohë shtetet Perëndimore që i duartrokasin Izraelit gjatë ‘mbrojtjes’ së tij nga fëmijët palestinez, heshtin dhe mbase edhe janë të kënaqur kur shohin se ‘fëmija’ i tyre tani më i rritur, me shumëçka tregohet i njëjtë si monstrat që donin ta shfarosnin popullin hebre.
Izraelitët dhe shtetet që atë e përkrahin edhe mund ta ndalojnë valëvitjen e flamurit palestinez si dhe protestat që shprehin dhembje ndaj fëmijëve të vrarë palestinez, por ata kurrë nuk do ia dalin ta vrasin e ta ndalojnë idealin e një populli për ta çliruar tokën që u është grabitur.
Andaj edhe dikush duhet t’u tregojë izraelitëve se me çdo vrasje të pafajësisë fëmijërore palestineze ata vetëm barazohen me gjithë vrasësit tjerë të kësaj bote dhe ‘prodhojnë’ luftëtarë edhe më të përkushtuar për liri.
Siç duhet dikush të na tregojë neve se Izraeli i vret fëmijët e Gazës, por vdesim ne që e shohim atë dhe heshtim si qyqarë, ne që sot sillemi njësoj si dikur ata që shtireshin se nuk i shihnin e nuk dinin gjë për kampet e përqendrimit ku nazistët i shfarosnin popujt e ‘dorës së dytë’.