Qeveria shqiptare mendon se në Shqipëri ka pasur abuzim në disa pika të caktuara dhe kjo ka ndodhur me produkte të markave të caktuara sa i përket rritjes së çmimeve. Ministrja Delina Ibrahimaj, u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se nuk ka pasur abuzim masiv. Abuzimi në çmime, sipas ministres do të shihet tani që është ngritur një bord i posaçëm për të monitoruar çmimet.
Mendojmë që ka pasur abuzim në pika të caktuara me produkte të markave të caktuara. Nuk ka pasur abuzim masiv. Çfarë ka ndodhur me tregtimin e këtyre produkteve të shportës që ne monitorojmë që janë shumë më ndryshe nga hidrokarburet se te hidrokarburet kemi një importues kemi një sh.a dhe një sh.p.k, pra nuk ka shumë hallka të ndërmjetme. Ndërkohë tek mielli dhe vaji ka të paktën 4 hallka. Nuk po marrim importuesin dhe supermarketin, por po marrim marketin e lagjes. Aty ke katër hallka të ndryshme. Abuzimi mund të ndodhë në secilën prej këtyre hallkave, mund të ketë ndodhur edhe më parë.
Ka pasur produkte që janë rritur më shumë, ka pasur produkte që janë rritur më pak. Abuzimin do e shohim tani që kemi ngritur bordin dhe do të vendosim çmimet. Do të shohim hallkat me kujdes dhe do shohim kush ka qenë realisht abuzim”, tha Ibrahimaj.
Ministrja shtoi se, “Nuk është abuzim penal, sot nuk është situatë ku bizneset mund të përfitojnë me mungesën në treg, me kërkesën, me çmimet e rritura, kjo është arsyeja pse po ngremë bordin”