Policia e Durrësit ka bërë të mundur identifikimin e një femre e cila u gjet e pajetë ditën e sotme poshtë Urës së Dajlanit.

Ajo është shtetasja Luljeta Preza, 32-vjeçe nga Sukthi i Durrësit. Policia thotë se vdekja është shkaktuar nga goditjet me mjet prerës.

Aktualisht janë shoqëruar në polici 17 persona ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Njoftimi i Policisë Durrës:

Në lidhje me një informacion të dhënë paraditën e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se:

Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.

Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.
Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.