45-vjeçari shqiptar, Taulant Malaj ka rrëfyer masakrën e kryer me dorën e tij, ku vrau me thikë vajzën e ti, Xhesika Malaj 16 vjeçe, plagosi gruan e tij, Tefta Malaj dhe vrau burrin italian Massimo De Santis, me të cilin dyshonte se e tradhtonte gruaja.
Sipas rrëfimit, ditët e fundit ata kishin pasur një debat në familje, sërish për tradhtinë e pretenduar të gruas, pas së cilës Taulant Malaj tha se donte të ndahej, por gruaja e tij e bindi të qëndronte në shtëpi.
45-vjeçari pretendon se e kishte kapur disa herë gruan e tij, Teftën, me kalimin e kohës në katin e tretë të pallatit ku banonte i dashuri i saj, sipas tij, Massimo De Santis.
“Gruaja ime pranoi se ajo kishte një lidhje me Massimo. Më kishte kërkuar falje për këtë marrëdhënie, por unë doja të ndahesha.”- ka rrëfyer ai.
Por, ai pretendon se të dielën do të kishte ndodhur diçka tjetër. Sipas rrëfimit të tij, teksa ndodhej në shtrat bashkë me gruan e tij, pretendon se Tefta, filloi të bisedonte me dikë në telefon. Taulanti, i dyshimtë, ka parë telefonin e gruas dhe zbuloi se ajo po bisedonte me fqinjin, Massimon. Pas pak ai doli nga shtëpia dhe priti që Massimo të kthehej në shtëpi nga lokali.
Sapo burri hyri në derë, e goditi me thikë për vdekje. Madje, Malaj i tha prokurorit, raportojnë avokatët, se “kishte vrarë Massimon fillimisht”, më pas u ngjit në shtëpi ku filloi të godiste me thikë gruan dhe më pas vajzën e tij, e cila po përpiqej të mbronte nënën e saj.
“Në atë moment, i verbuar nga inati – shprehen avokatët e Taulant Malajt – ai nuk e kuptoi se ishte përballë vajzës së tij dhe filloi ta godiste”. Dy avokatët flasin për “një lidhje të fortë mes autorit të rrëfyer dhe fëmijëve të tij”, 16-vjeçares dhe një djali 5-vjeçar.