Një banesë në pronësi të ish-drejtorit të “Top Channel” Ben Blushi raportohet se është kontrolluar nga agjentët e BKH-së, në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorëve.

Sipas “WebLajm”, është kontrolluar një banesë në “Rrugën e Barrikadave” në Tiranë, rreth një javë më parë. Urdhri i kontrollit është lëshuar nga prokurori i SPAK Dritan Prençi dhe miratuar nga gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka.

E njëjta media raporton se “nga hetimet e SPAK, bashkëshortja e Blushit e cila është me profesion Notere, rezulton se ka lidhje si aksionere me pronarët e inceneratorit si Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Kjo lidhje është nëpërmjet bashkëortakërisë me kompaninë Em-Capital me seli në Bullgari. Gjatë kontrollit, burimet sqaruan se Blushi ishte i pranishëm në shtëpi, ndërsa nuk ka patur vendim për sekuestro telefoni apo pajisje të tjera elektronike dhe komunikimi”.

Blushi, gjatë kohës që ka qenë në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të televizionit “Top Channel”, ka qenë në qendër të akuzave se ka bashkëpunuar me ata që SPAK i cilëson pronarët faktik të inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoton. Blushi është akuzuar se duke kontrolluar politikën redaksionale të televizionit, ka publikuar materiale propagandistike në favor të biznesit të inceneratorëve dhe me porosi të pronarëve faktikë, ka goditur kundërshtarët e tyre. Në këmbim, dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Lidhjet e dyshimta të Blushit me bosët e inceneratorëve kanë qenë shpesh në qendër të ligjërimeve politike të opozitës. Duke i vendosur epitetin “malavita”, kryedemokrati Ben Blushi e ka akuzuar si “të lidhur me klanin mafioz” të inceneratorëve.

Raportimet mediatike kanë nxjerr në pah po ashtu lidhje të dyshimta  të Ben Blushit me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, përfshirë dhe ortakërinë e bashkëshortes së tij me pronarët faktik të inceneratorëve.