Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar urdhër-arresti ndaj Indrit Shaqjas, i dënuar me burg përjetë dhe që u plagos në ngjarjen e 15 Dhjetorit brenda burgut të Peqinit.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari Artan Hoxha në studion e emisionit Opinion, ku sipas tij, Shaqja akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor me Sokol Mjacajn në vrasjen e Arben Lleshit.
“Për Indrit Shaqjen, Prokuroria e Elbasanit sapo ka lëshuar urdhër-arresti në lidhje me përfshirjen e tij në këtë ngjarje. Pra, nuk është se aty ka pasur një rol episodik dhe thjesht e ka njoftuar padashje. Këto detaje që të përmenda, që ai ka lënë hapur dritaren, ka lënë hapur perden, e ka thirrur atë nga kollona ku ka qenë dhe ja ka sjellë para autorit, ka bërë që Prokuroria të ngrejë dyshime se ai është i përfshirë në organizimin e kësaj ngjarje. Prandaj edhe ai është marrë nën hetim tani për përfshirjen në këtë ngjarje”, u shpreh gazetari Hoxha.
Një detaj tjetër që ka bërë Prokurorinë të dyshojë tek Indrit Shaqja, sipas gazetarit është edhe fakti se ai ka qenë shok qelie me Sokol Mjacajn në burgun e Fushë Krujës.
Të premten e 15 Dhjetorit 2023, brenda burgut të Peqinit ndodhi një vrasje me armë dhe një plagosje. I dënuari me burg përjetë Sokol Mjaçaj vrau me pistoletë të dënuarin me burg përjetë Agim Lleshi, si dhe mbeti i plagosur i dënuari tjetër me burg përjetë Indrit Shaqja. Tashmë edhe këtij të fundit i është komunikuar se është i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.