Pëllumb Salillari është shndërruar në “padronin” e tenderave në qarkun e Beratit. Salillari është denoncuar vazhdimisht si përfituesi i vetëm i parave publike që shkojnë për investime në tre bashkitë kryesore të qarkut, Berat, Kuçovë dhe Dimal.

Ai është përfituesi i tenderit 4 milionë euro të Ministrisë së Mbrojtjes për ndërtimin e murit rrethues të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, por edhe tenderit 3.61 miliardë lekë të bashkisë së Kuçovës për ndërtimin e një ujësjellësi në Sinec, që rrezikoi ta çonte pas hekurave kryebashkiakun Kreshnik Hajdari.

Firma “Salillari” po ashtu ka fituar tender për ndërtime të akseve rrugore lokale, menaxhon guroret që gërryejnë kodrën mbi qytetin e Dimalit, por duket se një ndër oligarkët e preferuar të Edi Ramës nuk do ndalet me kaq.

Sipas ish-deputeti të Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, një tjetër tender i majmë është shtuar në borderon e Salillarit, si shpërblim nga kryeministri Edi Rama për mbështetjen financiare por edhe fizike që ai i dha kandidatëve socialistë për kryebashkiak në zgjedhjet e 14 Majit.

Maliqi ka denoncuar me foto dhe video prezencën e Salillarit në muajin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit në Kuçovë, ku u investuan mijëra euro në blerje votash për kryebashkiakun Hajdari.

Tashmë sipas tij, dhuratë për Pëllumbin e qeverisë Rama është bërë një tender me vlerë 1.3 miliardë lekë, që parashikon shndërrimin e fushës së vjetër të sportit në Berat, në një ambient argëtimi për fëmijë e të rinj.