Është rikthyer sërish në vëmendjen zhdukja në rrethana misterioze e 19-vjeçares shqiptare Artemisa Vasili dy vite më parë në Greqi.

Shkak për këtë është bërë dëshmia e një shqiptareje jeton dhe punon prej vitesh në Suedi, të dhënë për emisionin investigativ grek “Dritë në Tunel”.

Ajo ka ngjallur shpresat për gjetjen e Artemisë, duke pohuar në emision se e ka parë atë në qytetin e Goteborgut në Suedi. Dëshmia në fjalë ka ngritur alarmin te autoritetet greke dhe ka shkaktuar mobilizimin e menjëhershëm të policisë lokale, Interpolit dhe Autoriteteve Konsullore, ndërsa është vënë në dijeni edhe avokati i familjes, Anastasios Dougas.

Zhdukja e Artemisës

Artemis Vasili u zhduk më datë 15 tetor 2020 në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune, por nuk u kthye më.

Mediat greke citojnë disa dëshmitarë që janë shprehur se e kanë parë vajzën shqiptare në një gjendje të keqe psikologjike. Vajza është parë duke qarë e vetme në një rrugë kryesore të Athinës.

Tre janë dëshmitë. Konkretisht pak pas zhdukjes, një grua tha se e pa vajzën 19-vjeçare në një gjendje shoku dhe duke qarë e vetme në rrugë. Gruaja iu afrua vajzës dhe u përpoq ta ndihmonte ndërsa Artemis u largua.

Një tjetër dëshmitar deklaroi se duke zbritur në stacionin e autobusit e pa 19-vjeçaren të trembur dhe duke ikur me nxitim. Gjithashtu një informacion tjetër erdhi se vajzës i kishte rënë të fikët në rrugë, por sapo ishin afruar njerëzit ishte shprehur se ishte mirë dhe ishte larguar.

Për herë të fundit vajzën me origjinë shqiptare e kapën kamerat duke shkuar në një stacion autobusi, ndërsa më pas janë vetëm dëshmitë e qytetarëve.