Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, thotë se Italia ka shprehur interes për ullirin dhe vajin e ullirit nga Shqipëria, por sipas tij qeveria nuk e ka mendjen të ndihmojë fermerët.
“Italia ka nevojë për ullirin dhe vajin shqiptar, por qeveria s’ka interes. Italia paska shprehur interes për ullirin dhe vajin e ullirit nga Shqipëria, por qeveria jonë se ka mendjen të ndihmojë fermerët tanë.
Pas ngritjes së shqetësimit për të disatën herë të Hënën në Parlament për prodhimin vendas, e më konkretisht për ullinjtë dhe vajin që po prodhojnë fermerët e Peqinit, Belshit dhe gjithë jugun e Shqipërisë, shoh një angazhim minimalist. Ministrja e Bujqësisë paskësh qenë në Itali ku është takuar me homologun e saj. Sipas njoftimit që ka shpërndare vetë, thotë se grumbulluesit shqiptarë do të çojnë ullinj dhe vaj ulliri në Itali, ndërsa Italia do të sjellë pajisjet për fabrikat këtu.
Ndonëse edhe në këtë rast qeveria duket se ka për qëllim kryesor pasurimin e miqve të saj grosistë, sinjali pozitiv është se ka një dritare ku të shkojë vaji Shqiptar. Por është neglizhenca dhe mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj njerëzve të thjeshtë, ndaj njerëzve të ndershëm që punojnë ajo që bëri që shumica e prodhimit të këtij viti të të mbes stok pa shitur. Nuk mund të kujtohet ministrja në mes të sezonit dhe të bëj gjoja sikur interesohet për një gjë të tillë”, shprehet ai në një postim në “Facebook”.
Më tej Sula shprehet se në këtë 8 dhjetor, ai dëshiron t’i bëjë edhe një herë thirrje qeverisë që të kthejë vëmendjen te qytetarët e këtij vendi.
“Në këtë 8 Dhjetor, dua të përsëris thirrjen time ndaj pushtetarëve që të kthejnë vëmendjen nga qytetarët e thjeshtë. Nëse do jepet ndihma minimale ndaj fermerëve shqiptar, të rinjtë dhe të rejat shqiptare nuk do ikin në mbarë botën dhe të rrezikonin jetën në Kanalin e Lamanshit, por do të qëndrojnë këtu dhe do të çojnë lartë brandet dhe produktet shqiptare.”- shkruan më tej Sula në “Facebook”.