Situata në Gaza sa vjen dhe bëhet më e tensionuar me bombardimet e shtuara nga ana e Izraelit në orët e fundit në gjithë Rripin, por mbi të gjitha me zgjerimin e një inkursioni tokësor të paralajmëruar.

Sipas raportimeve të fundit nga Lindja e Mesme, tashmë tanket e para izraelite kanë filluar të mësyjnë një Gaza tërësisht të shkëputur nga bota, pa rrymë elektrike, pa komunikim dhe pa internet.

Nuk është bërë ende e ditur se në çfarë shkalle ky inkursion fillestar është, ndërsa Izraeli iu ka bërë thirrje gjithë palestinezëve që jetojnë në veri, që të largohen urgjentisht drejt jugut.

Zgjerimin e operacioneve gjatë natës ndërkaq, e raportoi Daniel Hagari, zëdhënësi i Ushtrisë izraelite.

Hagari tha se forcat tokësore të Izraelit po i zgjerojnë operacionet e tyre në Gaza mbrëmjen e sotme. Sipas ushtrisë izraelite, forcat ajrore po sulmojnë gjerësisht objektivat nëntokësore.

Rripi i Gazës aktualisht i ngjan një ferri real, me bombardime masive mbi kokat e palestinezëve dhe një blackout tërësor në gjithë Gazën.

Bombardimet izraelite në Gaza janë të paprecedenta. Madje, ato po kthehen në më të ashprat të dekadave të fundit.

Ndërkohë, kompania e Telekomunikacionit në Palestinë, “Paltel” deklaroi se janë ndërprerë të gjitha shërbimet e komunikimit dhe të internetit me Rripin e Gazës nën agresionin e vazhdueshëm izraelit. Grupi i monitorimit të internetit “Netblocks” konfirmoi rreth orës 17:30 se të dhënat e rrjetit treguan një kolaps në lidhjen në Rripin e Gazës.

Gjithashtu, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës thotë se ka humbur plotësisht kontaktet me qendrën e saj të operacioneve në Rripin e Gazës.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për aftësinë e ekipeve tona për të vazhduar ofrimin e shërbimeve të tyre mjekësore emergjente, veçanërisht pasi kjo ndërprerje prek numrin qendror të urgjencës ‘101’ dhe pengon mbërritjen e automjeteve të ambulancës për të plagosurit dhe të lënduarit”, thotë organizata në një deklaratë.

Gjithashtu, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës është e shqetësuar për sigurinë e ekipeve të saj që punojnë në Rripin e Gazës dhe i bën një thirrje botës që të ushtrojë presion mbi autoritetet izraelite për të ofruar mbrojtje të menjëhershme për civilët e pafajshëm, objektet mjekësore dhe ekipet e tyre.

Po ashtu, organizata ndërkombëtare bamirëse “ActionAid” thotë se ka humbur kontaktet me kolegët e saj në Gaza. Organizata bamirëse shprehet “shumë e shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të të gjithë njerëzve të Gazës”.