Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici u arrestua pasditen e kësaj të shtune nga SPAK, pas publikimit të një video-skandali seksual me një vajzë në zyrën e tij, ndërsa akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”.
Videoja intime
Video intime e publikuar pak ditë më parë ku shfaqej Safet Gjici në cilësinë e kryetarit të bashkisë Kukës dhe Alma Kaçi si përfaqësuese e një kompanie private që merrej me menaxhimin e qenve endacak është bërë objekt i hetimit të SPAK.
Kaçi shfaqej në video duke i ofruar seks oral Safet Gjiçit në zyrën e institucionit të bashkisë Kukës.
Menjëherë pas publikimit të videos fillestare Gjiçi pasi njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen, sqaronte se me vajzën ishte në një marrëdhënie intime prej kohësh.
Por publikimi i pamjeve bruto me një gjatësi prej 13 minutash nxorri bllof deklaratën e Gjicit. Pasi menjëherë pas ofrimit të seksit oral ndaj kryebashkiakut, Alma Kaçi kërkonte nga ky i fundit që ti jepte firmës së saj, tenderin për menaxhimin e qenve endacak në qytetin verilindor të vendit.
Për të përmbushur kërkesën e 40-vjeçares kryebashkiaku Safet Gjici siç dukej dhe nga pamjet filmike të publikuara thërret nënkryetarin Granit Gjana që ta ndihmonte me dokumentacionin që Alma Kaçi të përzgjidhej fituese.
Sipas SPAK është pikërisht kjo video që ngre dyshime të arsyeshme se dy protagonistët në videon intime Gjici dhe Kaçi kanë konsumuar elemente të veprave penale të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Bazuar në provat e grumbulluara SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të vendos masën e sigurisë arrest me burg për Safet Gjicin dhe arrest shtëpie për Alma Kaçin. Urdhërat e arrestit që janë ekzekutuar ditën e sotme ku Gjici u arrestua në Tiranë dhe Kaçi në Shkodër.
Sa vite burg rrezikojnë
51-vjeçari Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” neni 260 i kodit penal ku nëse do provohet akuza ai mund të dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
40-vjeçarja Alma Kaçi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë“ neni 245 i Kodit Penal ku nëse do provohet akuza ajo mund të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Neni 245
Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013) Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet
Neni 260
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013) Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.