Jamarbër Malltezi nxjerr “letrat”: Bashkëshorti i Alketa Vejsiut , Ardi Nelaj i Orion financon seancat e detoksit të Ramës në Bolzano dhe merr leje ndërtimi në Tiranë e Dhërmi, kurse SPAK merret me zekatin tim për fëmijët në nevojë
Jamarbër Malltezi ka reaguar ashpër ndaj prokurorisë, duke e akuzuar për qasje të njëanshme në hetimet mbi financimet dhe përfitimet politike. Në një postim në rrjetet sociale, ai denoncoi atë që e cilëson si “dyfytyrësinë e prokurorëve politikë”, duke e krahasuar mënyrën sesi trajtohen bamirësitë e tij me financimet që, sipas tij, ka marrë kryeministri Edi Rama nga biznesmenë ndërtimi.
Malltezi thekson se ndihma e tij për trajtimin mjekësor të tre fëmijëve autikë është konsideruar nga organet e drejtësisë si përfitim për Sali Berishën, ndërkohë që, sipas tij, prokuroria “mbyll sytë” për financimet ndaj Edi Ramës. Ai pretendon se një biznesmen ndërtimi, i identifikuar si bashkëshorti i moderatores Alketa Vejsiu, ka financuar një javë trajtim detoks për Ramën në një hotel në Bolzano, Itali, me një vlerë prej 10 mijë eurosh.
Sipas Malltezit, këto pagesa janë shpërblyer nga qeveria me leje ndërtimi në Tiranë dhe Dhërmi për biznesmenin në fjalë, duke ngritur pyetjen nëse ky është një rast përfitimi të ndërsjellë.
Ai e cilëson heshtjen e institucioneve si nënshtrim politik dhe e akuzon prokurorinë për favorizim të kryeministrit.
Këto deklarata vijnë pas akuzave të ngritura nga Arben Ahmetaj, i cili tha se Rama është financuar nga biznesmenë ndërtimi për trajtime të luksit jashtë vendit.
Deri tani, as kryeministri dhe as institucionet nuk kanë reaguar mbi këto akuza. /gazetajonë