Një nga aktorët dhe komedianët më të mëdhenj të Shqipërisë, Zef Deda, feston sot datëlindjen dhe sigurisht në këtë ditë speciale për të nuk mund të mungonte urimi nga i biri, Juliali. Në fakt artisti i “Klanifornia” e ka kthyer në një formë tradite, duke u munduar që cdo vit të gjejë fjalët më të bukura për të uruar të atin, ndërsa këtë herë në urimin e tij ka ndarë një detaj që i ndodh gati përditë kur bëhet fjalë për Zefin.
Pasi i shpreh të gjithë dashurinë ” artistit të shtëpisë”, ai po ashtu i shpreh atij “të falat” nga njerëzit që e ndalojnë në rrugë ende dhe përshëndesin të madhin Zef, artistin me humorin e të cili janë rritur. E besojmë që vlerësim më të madh për një artist nuk ka.
“E gëzofsh ditën e lindjes Artisti i shtëpisë sonë. U bëfsh sa të dojë e bardha zemër. Të du fort Babo! Ahh, se mos harroj, ke të fala nga të gjithë dashamirësit e tu, që unë takoj përditë në rrugë dhe më thonë “mi bëj shumë të fala të madhit Zef, se jemi rrit me humorin e tij”. Edhe 100 Zefinjo, të përqafoj”– shkruan Juli në urimin e tij.

Zef Deda, shpesh i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë, jo vetëm se e ka imituar disa herë gjatë karrierës, ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Ai është një nga humoristët më të dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran, me shumë role jo vetëm në teatër por edhe në filma e cdo skenë ku bëhet humor.