Pak e vështirë të mendosh që ka një gjë që nuk shkon tek një bashkëpunim mes Elvana Gjatës dhe Dhurata Dorës, që duhet thënë janë dy nga artistet që nuk kanë hedhur asnjë hap të gabuar vitet e fundit në muzikë, me këngët, bashkëpunimet dhe zgjedhjet në karrierë. Zgjedhja e duhur ka qenë edhe ky bashkëpunim në fakt, pikërisht në këtë verë, kur duket se ka vetëm bashkime forcash mes këngëtareve “big” të industrisë, e megjithatë, ka diçka që nuk shkon tek kënga “Gajde”.

Nuk bëhet fjalë për videoklipin sigurisht, është shumë mirë i realizuar, po ashtu edhe për muzikën, që nuk ka të sharë, sidomos përdorimi i instrumentave të veçantë, madje në rregull është edhe ritmi edhe i gjithë “vibe” në tërësi. Po për çfarë po flasim atëherë? Për një paradoks të tekstit, kryesisht në refren. Nuk e dimë nëse është diçka që i ka shpëtuar, gjë që nuk e besojmë se sidomos Elvana tekstet i ka pikë të fortë, por paradoksi vihet re në pjesën e refrenit ku thuhet:

Lem rehat se po pi
E nuk o tu ma ni
Lem rehat se po pi, po pi per ty..

Me pak fjalë, doni që ky djali t’ju lërë rehat se nuk jua ndjen për të? Atëherë pse jeni duke pirë për të? Po ashtu është edhe fakti që Elvana thotë që në fillim që “nuk ka më gajle”, pra nuk i intereson më, e pastaj vazhdon të flasë e të pijë për këtë djalin se po largohet, po ashtu edhe Dhurata që pasi kanë folur gjithë këngën për të thotë “nuk je special”. Nëse keni bërë një këngë për të, duhet të jetë edhe pak special.

Gjithsesi, tani e keni idenë, ajo që nuk shkon është thjesht një përplasje mendimesh e vogël, por që nuk do habiteshim që në fakt kënga të ishte pikërisht për këtë, për paradokset e ndjenjave me dikë që po na largohet. Nuk i dihet asnjëherë…