Kryeministri Edi Rama, në një konferencë urgjente për shtyp, ndërsa sqaroi pse u anulua mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë, deklaroi se “jemi në prag të vënies në lëvizje të planit të masave shtrënguese për Kosovën nga ana e ndërkombëtarëve”.

“Kam bërë përpjekje për t’i kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë kohën, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, kam shumë frikë që plani që është në plan, realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, tha Rama.

Kryeministri theksoi më tej se kombi shqiptar po rrezikon të dalë në një dritë jo të mirë në sytë e atyre që e kanë bërë këtë komb që të jetë në ditët e veta më të mira në historinë e tij për herë të parë.

“Ne e kemi problem të bëjmë mbledhjen e dy qeverive pasi nuk jemi UFO, nuk jemi vend i izoluar, marrëdhënia jonë me Kosovën është marrëdhënie vëllazërie, por jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk ka asnjë shans që të zhvendosemi nga boshti i kësaj bashkësie. Për më tepër, ne mendojmë 100% njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast. Ashtu sikundër ju kam thënë që kur disa prej partnerëve i thonin Albinit që të mos mbanin zgjedhjet në veri, isha 100% me Albinin, sepse bojkoti i serbëve nuk mund të fitonte statusin e instrumentit fatal për Republikën e Kosovës. Në atë rast dhashë dhe unë kontributin tim modest që partnerët të kuptonin qëndrimin parimor dhe të saktë për mua. Mirëpo sot, jo vetëm që nuk ndajmë opinionin, por si vend jemi 100% kundër mënyrës se si po veprohet”, theksoi Rama.