Tirana, dalë nga dalë, po kthehet në një qytet prej betoni, ku sipërfaqet e gjelbërta rrallë i has. INSTAT raportoi se këtë vit sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet ishte 800 mijë metra katrorë, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, është sa gjysma e lejeve të dhëna për gjithë vitin 2021.
Këto të dhëna janë të frikshme, dhe tregojnë se vitin tjetër tredi i ndërtimeve do të jetë në rritje. Ajo që bie në sy, sipas të dhënave të INSTAT, është se pothuajse të gjitha ndërtimet janë përqendruar në kryeqytet, me sipërfaqen e dhënë në Tiranë, që përbën 77% të totalit të lejeve të dhëna për të gjithë vendin.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në kryeqytet, është 28.7 miliardë lekë, ose 235 milionë euro.
Por, problemi nuk janë vetëm te dëmi mjedisor që këto kulla, të cilat shtohen si kërpudhat pas shiut, po ndërtohen. Problem është se mbi katet ekzistuese, po ndërtohen të tjera kate pa asnjë leje dhe në mes të Tiranës, ndërsa KMT, IMT e Tiranës, Policia e Bashkiake dhe Policia e Shtetit bëjnë sehir.
Kulla “Eye of Tirana” e cila po ndërtohet në qendër të Tiranës, mes fillimit të Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës ka shtuar dy kate pa asnjë leje ndërtimi.
Gjithashtu edhe kulla e Kastratit të ETC, e cila do të jetë më e larta në Tiranë, sipas projektit do të ketë 37 kate mbi tokë, 5 kate nëntokë dhe një sipërfaqe totale rreth 77 mijë metra katrorë. Mirpo, rezulton se dhe këtu është abuzuar duke shtuar 4 kate të tjera, po prapë pa leje ndërtimi nga institucionet përkatëse.
Abuzime të tilla janë bërë tejet të zakonshme në vendin tonë dhe duket se shteti ynë vepron me dy standarde me qytetarët e tij.
Bosët e firmave të ndërtimit dhe pronarët, i lejon të ndërtojnë pa leje dhe të bëjnë çfarë të duan pasi kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të fshehura me ta dhe përfitimet që marrin janë të majme. Nga ana tjetër, IKMT, Policia Bashkiake dhe ajo e Shtetit “i tregojnë dhëmbët” qytetarëve nëse thjesht ndërtojnë një mur rrethues pa leje apo bëjnë një shtesë në shtëpinë e tyre private.
Shteti është aq i afatë të shohë se çfarë ndodh në një fshat të humbur të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë i aq e paaftë dhe mbyll të dyja sytë përballë ndërtimeve në Tiranë që vetëm s’e kanë të shkruar në “ballë” se po abuzojnë me ndërtimet pa leje.
Kështu, hallexhinjtë përfundojnë pas hekurave për muaj të tërë, ndërsa pronarët dhe oligarkët falë miqve në bashki e kryeministri, bredhin të lirë dhe me ndërgjegjien e pastër. Në asnjë vend tjetër në botë nuk ekziston ky lloj shteti që favorizon kë ka, e poshtëron kë nuk ka./gazetajonë