Ervis Behari është një nga këngëtarët më të njohur të muzikës popullore. Ai është bërë i famshëm përmes këngës së “Dajos”, e cila dëgjohet kudo. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Ervisi tregoi se këngën e parë që këndon në çdo koncert, është kënga e “Nënës”, pasi i jep energji.

Ai sakaq, u ndal edhe te hit “Dajo”, të cilin zbuloi se e ka xhiruar kur nëna kishte ndërruar jetë dhe është një dedikim për të. “Unë e kam thënë edhe herë të tjera, që çdo koncert timin e nis me këngën e “Nënës”. Madje, para se të dal në skenë shikoj ato fotot, e kam për energji të mirë.

Të gjitha këngët e mia, sidomos kënga e “Dajos” është bërë pasi ndërroi jetë nëna ime. Është një nga ato këngë që mua më ka lënë pasaportën, le të themi. Më ka identifikuar. Tekstet e këngëve të mia i ka shkruar Arben Duka, i cili është një poetët më të mirë që ka Shqipëria.

Them që ka sepse ai mbetet gjallë përmes veprave të tij. Unë kam nxjerrë këngën e nënës, një javë pasi nëna ime kishte ndërruar jetë dhe ka qenë dita e 7 kur unë kam xhiruar videoklipin në fshatin tim.

Dua të them këtë gjë, që Zoti ndoshta të jep edhe fuqi, kur e mendon që të largohet një njeri i afërt nga jeta. Kënga e “Nënës” është inçizuar gjatë kohës që nëna ime ishte e sëmurë, nuk e dija, në atë kohë e mora vesh.

Nuk e dija që ishte e sëmurë aq rëndë, më thotë Adi Hila, do bëjmë një këngë për nënën. Po, patjetër, i thashë. Ndërkohë, që ai e dinte historinë time”, u shpreh Behari.