Familja e Liridona Ademajt, 30-vjeçares që u vra më 29 nëntor në fshatin Bërrnicë të Prishtinës sot është informuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rreth rastit të vrasjes së saj.

Në këtë takim ishin babai dhe vëllai i Liridonës.

Leondardi, i vëllai i Liridonës, njofton se ky takim ua lehtësoi dhimbjen dhe u ofroi një siguri edhe më të madhe që hetimet janë duke shkuar mirë.

“Sot mbajtëm takim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe u informuam rreth rastit të vrasjes së Liridonës tonë, brenda kufinjëve që lejon ligji.

Ky takim na e lehtësoi dhimbjen dhe na ofroi një siguri edhe më të madhe që hetimet janë duke shkuar mirë.

U dakorduam që tani e tutje do të kemi takime të rregullta informuese.

Ne i shprehëm falenderimet hetuesëve, prokurores së rastit dhe të gjithë prokurorëve që janë duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit.

Ne besojmë në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe mbesim me shpresë që rasti do të zgjidhet në mënyrë profesionale”, shkruan ai.

Kujtojmë se këtë takim urgjent ishte vëllai i Liridonës ai që e kërkoi nëpërmjet një postimi në “Facebook”.