Punëtorët e veshur me kostum që spërkasin me dezinfektues mbi rrugët e qytetit, ndërtesat, stolat e parkut janë bërë një pamje e zakonshme në Kinën e epokës së pandemisë.
Në Shangai, epiqendra e shpërthimit më të madh të vendit, media shtetërore raporton se mijëra punëtorë janë organizuar në ekipe për të dezinfektuar zonat, si një lëvizje që qeveria e sheh si kyç për frenimin e përhapjes së variantit Omicron.
Por praktika shpesh shtrihet shumë më tej. Me sa duket, çdo zonë e jashtme është në rrezik për t’u shënjestruar nga punëtorët që përdorin makineri dezinfektuese, pasi politika rigoroze e Kinës “zero-Covid” nxit një obsesion për dezinfektimin e gjithçkaje.

Në Shangai, zjarrfikësit janë hequr nga detyrat e tyre për të marrë rolet si dezinfektues, një ligë rinore lokale ka rekrutuar vullnetarë për skuadrat e dezinfektimit dhe ekipet e shpëtimit emergjent nga pjesë të largëta të Kinës janë përfshirë në lëvizje.
Në disa lagje të Shangait, janë ngritur stacione speciale për prodhimin e kimikateve, ndërsa në të tjera automjetet janë pajisur me tanke kimike dhe pajisje të ngjashme me topat për të hedhur dezinfektues në rrugë, sipas mediave lokale. Robotët e dezinfektimit janë vendosur në stacionet hekurudhore dhe janë vendosur për të patrulluar disa qendra karantine.
Por këto përpjekje dhe të tjera, si këmbëngulja që punëtorët të veshin kostumet antikovid dhe mesazhet e regjistruara që luhen duke u kujtuar njerëzve se si të parandalojnë sëmundjen mund të jenë humbje kohe, përpjekjesh dhe burimesh.

Ekspertët thonë se transmetimi i virusit përmes sipërfaqeve të kontaminuara është jashtëzakonisht i ulët dhe se sanitizimi i zonave të jashtme si parqet dhe rrugët e qytetit është kryesisht i pakuptimtë dhe akoma më keq, madje mund të përbëjë një rrezik për shëndetin publik. Dezinfektimi masiv nuk ka qenë pjesë e masave të kontrollit të sëmundjeve në vendet perëndimore “sepse autoritetet e shëndetit publik ndoqën shkencën”, sipas Emanuel Goldman, një profesor i mikrobiologjisë në Shkollën Mjekësore Rutgers-New Jersey.

Megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është “shumë e pamundur” që njerëzit të mund të infektohen me Covid-19 përmes ushqimit ose paketimit të ushqimit, autoritetet kineze në shumë raste kanë vënë nën masën e dizinfektimit të importeve ose sipërfaqeve të tjera të kontaminuara, si në aeroplanë apo edhe postën ndërkombëtare.

Kjo ka çuar në një sërë masash kryesisht unike për Kinën, si testimi i sipërfaqeve të importeve për gjurmë të virusit dhe dezinfektimi masiv i mallrave të ardhur nga jashtë, ndërsa disa qytete kanë lëshuar urdhra të ndryshëm për të dezinfektuar postën dhe pakot ndërkombëtare, edhe pse ekspertët shëndetësorë thanë në fillim të këtij viti nuk kishte prova të mjaftueshme që artikuj të tillë mund të bartin virusin.