Luan Lleshi nuk i punon prej vitesh tokat që ka buzë lumit Fan në Fushë Arrëz. Uji që përdorin për vaditje ndotet nga fabrika e bakrit, duke i bërë prodhimet të pakonsumueshme.
“As bagëti nuk mbaj, pasi është mund që shkon kot”, – rrëfen Luani.
Lumi Fan, burimi i ujit dhe jetës në këtë zonë, gjatë muajit qershor kishte marrë një ngjyrë të kuqe, si pasojë e sasisë së lartë të sterileve të bakrit që derdhen aty. Kjo ka nxjerrë jashtë përdorimi rreth 1800 ha tokë bujqësore, të 10 fshatrave në zonën e Fushë Arrëzit.
“Është koha e verës tani duhet të ujisim, me çfarë do të ujisim? Kur e kemi hapur kanalin që të ujisnim, ishte jo ujë i zi, por acid i gjallë”. – tregon i dëshpëruar Luani.
Miniera e bakrit në Fushë Arrëz i është dhënë me koncension një kompanie kineze që në vitin 2001, por të dhënat e mbledhura nga Citizens tregojnë se kompania, ndonëse po ndot në mënyrë të pakthyeshme mjedisin dhe deklaron prej vitesh humbje, arriti të firmoste një kontratë të re me shtetin shqiptar duke e zgjatur me 10 vite koncensionin.
Ekspertët e shohin me shqetësim këtë koncension, pasi sipas tyre kjo pasuri nuk po administrohet siç duhet.
“Miniera e Munellës, në bazë të standardeve botërore të vlerësimit të resurseve nëntokësore mund të quhej minierë e mirëfilltë ari, sikur të mos kishte as bakër, as zink, këto elementët e tjerë por vetëm arin,” – na tregon inxhinieri Qerim Ismeni, duke iu referuar viteve të komunizmit, kur ai punoi në këtë impiant.
“Po merr vetëm ajkën e pasurisë kombëtare të bakrit”, -thotë ai.
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.
Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”.
Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.
Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.
Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.
Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit.
“Në fakt, interesi ekonomik zonal është i kufizuar në pagesat për punonjësit dhe punësime të disa nënkontraktorëve, por pa arritur të japë ato pritshmëri që janë prezantuar një dekadë më përpara. Ndërsa efekti në ekonominë kombëtare është në nivele të ulëta, apo sa 1.5% e prodhimit të brendshëm rajonal (Qarku Shkodër). Efekti i të ardhurave të buxhetit nuk është më shumë se sa 0.04% të të ardhurave kombëtare apo sa 3.5% të të ardhurave tatimore rajonale,” – analizon eksperti Eduart Gjokutaj nga qendra “Altax”.
Sipas shtesës së marrëveshjes kompania koncesionare ka investuar rreth 70 milionë dollarë nga 32 milionë dollarë që kishin rënë dakord për periudhën 2001-2015.
Por sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj, ky investim është bërë vetëm për të mbajtur në aktivitet koncesionarin.
“Duket se e gjitha kjo vlerë ka shkuar për të mbajtur koncesionin në aktivitet dhe pagimin e detyrimeve të ndryshme ndaj të tretëve dhe bankave”, – thotë ai.
Kromi dhe bakri drejt kinës
Eksporti i xeherorëve, koncentrateve të kromit dhe bakrit ka njohur një rritje rekord në prill të 2024. Sipas INSTAT vlera e eksporteve me këtë shtet arriti në 1.52 miliardë lekë, nga 597 milionë që ishte një vit më pare, ose 161% më shumë.
Shifrat tregojnë se viti 2023 shënoi rekordin e dytë më të lartë të eksporteve me Kinën që nga viti 2005. Në vitin 2023, eksportet me këtë vend arritën në 10 miliardë lekë, ndërkohë që regjistroheshin në 11.4 miliardë në vitin 2013, që ishte rekordi i mëparshëm. Në vitin 2023, Kina ishte partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, me një vlerë totale të shkëmbimeve prej 103 miliardë lekë, ose rreth 1 miliardë euro.
Ekspertët llogarisin se shteti shqiptar humb rreth 5.5 mln dollarë në vit, pasi kompania e eksporton bakrin të papërpunuar, me gjithë elementët e tjerë si: ar, argjend etj.
“Duke u nisur nga sasia që kanë eksportuar sipas të dhënave të doganave, me teknologjinë e asaj kohe, me ato koeficiente që nxirrnim ne arin, argjendin, selurin do ishte rreth 110 milionë dollarë si prodhim bruto. Ndërsa si humbje direkte e shtetit shqiptar është TVSH e munguar, pasi për këtë 110 milion dollarë prodhim bruto do të merrnim 20%. Dhe kjo shumë është rreth 22.4 milionë dollarë, që ta përkthejmë për çdo vit i bie rreth 5,5 milionë dollarë çdo vit, humbje neto e popullit shqiptar”, – thotë inxhinieri Qerim Ismeni.
Kush humbet nga koncesioni
Para viteve ’90, industria e bakrit ka funksionuar me cikël të plotë, duke realizuar një shfrytëzim kompleks të lëndës së parë dhe punësonte rreth 12 mijë persona. Në këtë periudhë prodhohej çdo vit rreth 1 milion ton mineral bakri e piriti, 50 mijë ton koncentrat bakri dhe mijëra ton nënprodukte të tjera.
Efektet që duhet të gjeneronte ky koncesion, maten me nivelin e pagave të punonjësve, rritja e konsumit në ekonominë zonale, si dhe efekti në ekonominë kombëtare nëpërmjet pagimit të detyrimeve fiskale dhe kontributeve të tjera për pushtetin vendor.
Duke filluar që prej vitit 2014, kjo kompani deklaron humbje miliona lekë çdo vit. Në këtë mënyrë nuk paguan TVSH dhe as tatim mbi fitimin dhe tatim mbi dividentin.
“Rezultatet me humbje shumëvjeçare duket se ndikojnë në uljen e kontributeve fiskale përsa lidhet me tatimin mbi fitimin edhe pse nuk merr shumë kuptim kërkesa për zgjatje koncesioni në këto rrethana,” – thotë eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.
Duke u nisur nga të dhënat financiare për shoqërinë koncesionare, niveli i pagave përllogaritet të jetë 12 -13 milion Euro, ose 11% të të ardhurave që gjeneron në vit. Për ekspertët, ky nivel pagash është 10% më i ulët se në vendet e tjera të Europës.
”Kjo natyrisht ndikon pak edhe në konsumin e zonës” , – analizon Edurt Gjokutaj.
Sipas të dhënave të doganave sasia e bakrit që eksportohet drejt Kinës është e konsiderueshme.
“Nga sa mund të analizohet mbi ndikuesit në humbjen financiare duket se peshën dominuese e mban lënda e parë dhe materialet për prodhim, të cilat janë nga 50% në 2022 në 101% të të ardhurave në 2021. Ndërkohë zërat e tjerë të lidhur me pagat dhe kontributet, si dhe shpenzimet e tjera kanë një peshë që është e ulët në raport me shpenzimin kryesor”, – komenton Gjokutaj pasqyrat financiare të këtij koncensioni.
Ndotja e lumit Fan
Kompania Beralb që menaxhon fabrikën e përpunimit të bakrit ka shkaktuar ndotje të vazhdueshme në lumin Fan i Madh. Ndotja që ka përfshirë prej vitesh këtë zonë ishte e pranishme edhe gjatë muajit qershor kur vizituam këtë zonë. Ujërat e lumi ishin me ngjyrë të kuqe, ndërsa gurët kishin marrë ngjyrë të verdhë, tregues i ndotjes së lartë.
Banorët e fshatrave që preken nga rrjedha e lumit Fan i Madh kanë protestuar disa herë kundër ndotjes, pasi ju cenohet direkt jeta dhe ekonomia.
“Ndotja e burimeve ujore duhet të konsiderohet një çështje me rëndësi e shëndetit publik e sidomos e komuniteteve që i vuajnë ato në mënyrë të padrejtë” – shprehet Ani Barjami eksperte mjedisi.
Protestat dhe ankesat e vazhdueshme të banorëve të zonës, në vitin 2020 vunë para përgjegjësisë institucionet, të cilat gjobitën me 2 milionë lekë kompaninë për ndotjen që shkaktonte.
Por kjo nuk mjaftoi, pasi ndotja vazhdon dhe banorët përsëri nuk mund të ujisin tokat e tyre bujqësore apo të lejojnë bagëtitë që të konsumojnë ujin e lumit.
Shkarkimi i ujërave të ndotur ka bërë që të rritet përqindja e metaleve të depozituara në sedimentin e lumit. Sipas një studimi të realizuar në 2010 rezulton se lumi Fan i Madh ka një përqindje të lartë të metaleve, ku kryesori është bakri me 1,2 mgL, sasi shumë më e lartë se norma e lejuar.
Ndërkohë që si ekspertët e mjedisit ashtu edhe të ekonomisë këmbëngulin që prioritet duhet të jenë përfitimet dhe të mirat që kanë komunitete dhe zonat ku jepet një koncesion.
“Në mendimin tim, theksi duhet vënë te padrejtësia që iu bëhet komuniteteve që jetojnë në zona të varfra, për fitime ekonomike dhe ku mungon kontrollo i instancave përgjegjëse”, – përmbyll ekspertja Ani Bajrami.
/Citizens Channel