Historia nis në 10 Prill të vitit 2012 në Britaninë e Madhe, në qytetin e Sauthemptonit. Atë ditë, policia vendase e gjeti të shkrumbuar brenda mjetit të tij tip Mercedez trupin e viktimës Agim Hoxha, nga fshati Shtjefën i Matit.
Ai ishte vrarë diku tjetër dhe autorët e krimit kishin djegur trupin për të humbur gjurmët. Policia vendase identifikoi si autor të krimit pikërisht shtetasin Arben Lleshi nga fshati Rrokaj i Matit. Në të shkuarën, Lleshi dhe Hoxha kishin qenë shok. Sipas raportimeve të mediave britanike, mendohet se konflikti kishte nisur pas një mosmarrëveshje për tregtimin e një sasie kokaine. Një aktivitet në të cilin viktima dhe autori i krimit kishin bashkëpunuar prej vitit 2006.
Pas vrasjes ne Britani, familja Lleshi u distancua nga Arbeni dhe shkëputi çdo kontakt me të. Këtë, e konfirmon motra e tij në një rrëfim telefonik me Inside Story.
“Në moshën 15 vjeçare, Arbeni emigroi drejt Anglisë i ndihmuar nga një mik i familjes tonë. Atje u dorëzua në një familje angleze ku qëndroi për shumë vite nën kujdesin e tyre. Ne vitin 2012 ai na telefonoi dhe na tha që kishte marrë dokumentat. Në Prill të vitit 2012 ai erdhi në Shqipëri. Ai ndejti vetëm 10 ditë. Ne nuk dinim asgjë çka kishte ndodhur në Angli. Dhe ai u nis për Angli dhe në pamë në lajme qe ai ishte arrestuar nga Interpoli në Itali. Ku më pas filluan në Angli hetime lidhur me këtë ngjarje. Sipas mediave dhe lajmeve ai u shpall fajtor nga gjykata britanike, por ai gjithmonë e ka mohuar vrasjen për të cilën akuzohej”.
Në debat e sipër, Arbeni e kishte goditur me sende të forta Hoxhën dhe trupin e pajetë e dogji diku tjetër për zhdukjen e gjurmëve. Në fund, ai u dënua me 32 vite burg. Në vitin 2016 u deportua në Shqipëri për të kryer dënimin në atdhe. Fillimisht në burgun e Fushë-Krujës dhe së fundi në Peqin ku edhe u ekzekutua.
“Pas një periudhe ai u ekstradua në Shqipëri ku ne përsëri nuk dinim gjë për ardhjen e tij në Shqipëri. Ne morëm vendimin për arsye të kësaj ngjarje të rëndë që kishte ndodhur për të mos e takuar kurrë”.