Gazetar, shkrimtar, një ndër emrat më të njohur të medias që tashmë ka vendosur një standard në emrin e tij – për Enkel Demin ka plot për të folur. Por ai ç’mund të thotë për veten? Si fillim, nëse kthehet pikërisht aty, te fillimi i familjes së tij të bukur e të plotësuar me Mesilën, kujton mirë si dy të rinj luftonin me sfidat e përditshmërisë.
Pa kurrfarë rezerve, Keli shprehet në “Natën me Aulonën” në MCN se ka pasur momente të vështira kur paratë kanë qenë të pakta sa të mungonin edhe gjëra bazike në folenë e tyre. Zgjidhja? Të mos dorëzohesh dhe ndoshta kjo është arsyeja pse sot emri i tij nuk është i harruar në një zyrë redaksie.
Enkel Demi: Një moment kanë qenë fillimet e mia me Silën kur lindi çuni, ajo ishte pa punë, unë kisha një punë me rrogë modeste. Nuk jetuam te asnjë nga prindërit tanë kështu që pavarësisht se ishim të Tiranës, morëm shtëpi me qira, shtëpia kushtonte më shumë sesa paga ime, kanë qenë momente, ditë të caktuara dhe ditë kur mungonin edhe gjëra bazike në shtëpi. Ka pasur momente, jo se ishim të uritur, na ka qëlluar të dyve të kapërcenim ndonjë vakt.
-Si ia dolët ta kalonit?
Enkel Demi: Ishim shumë të rinj, e para. E dyta, e donim shumë atë që kishim bërë. E treta filluam të punojmë të dy me orë të zgjatura pafund, një ose dy punë. Ndoshta po mos të ishte ky moment, s’do të isha bërë ky gazetari që jam sot, do të kisha ndenjur në një zyrë ose ku di unë se çfarë dhe do të isha mjaftuar me atë gjënë e vogël që ishte e mjaftueshme për atë kohë.