Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe nuk pati një përgjigje se pse u tërhoq nga votimi ligji për lojërat e fatit në Kuvend ne moment te fundit.
“Nuk di gjë pse u tërhoq. Më ka lënë një shije të keqe pasi u argumentua me nevojën dhe urgjencën që kemi për të formalizuar këtë treg. Emergjenca që na u tha se duhej për miratim nuk e justifikon tërheqjen. Unë nuk tërhiqem nga propozimet e mia. Sa kohë kemi këtë urgjencë edhe faktin që janë informale patjetër që duhej miratuar sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Braçe.
Si nja nga deputetët i cili ka bërë disa propozime për ligjin për bastet online në Komisionin e Ekonomisë, Braçe kujtoi sërish disa nga pikat kryesore që iu morën parasysh në komision dhe disa që u rrëzuan.
Por, siç mëson Gazeta Jonë, kanë qenë pikërisht këto amendime të miratuara në komision që detyruan maxhorancën të tërhiqte ligjin pas ndërhyrjeve të një ish-deputeti socialist që loboi shumë për bastet.
“Mos e vini jetën tuaj në tavolinën e roletës, nuk ka dalë njeri i fituar nga kjo histori. Unë jam kundër. Nuk besoj se e ka vuajtje shpirtërore njeri se nuk luan bixhoz. Unë jam kundër. Por situata ku ndodhemi se ky aktiviteti është i qartë në territor i shtrirë në territor duhet një ndërhyrje shumë e fortë për të bërë një përpjekje për legalizim. Demotivim sa më shumë i çdo lojtari. Duhet me rregulla. E para ishte reklama. Amendimet që ju bënë projektligjit në komisionin e ekonomisë synojnë që të ndalohet reklama. Edhe influencer t’ju ndalohet reklamimi i kazinove. Janë disa vajza që e bëjnë këtë gjë dhe me vjen keq ashtu siç ka dhe djem. Të ndalohet reklamimi i tyre. Do lejohet vetëm në ambiente sportive. Pjesën tjetër do të lejohet nëpër stadiume. Ky aspekt u mor parasysh”, tha Braçe.
Deputeti socialist nënvizoi se kërkoi që SPAK të jepte një miratim për licencat, por nuk e pranuan.
“Sa kohë që ne u përballëm me këtë përvojë dhe sot është në duar të krimit. Ata e kanë kurajon ta bëjnë këtë aktivitet sot. Edhe të marrin përfitime dhe të blejnë policë. Përtej këtyre kërkova që një nga miratimet për ata që do të marrin licensat duhet ta jepte SPAK-u. Do ishte krejt normale që ai institucion të japë një nga miratimet që kërkohen në ligj për atë që do të licensohen për lojërat e fatit. Nuk kanë ndryshuar kushtet, ndërkohë që situata ka ndryshuar. Ky institucion të jepte një nga miratime!” u shpreh ai.
Braçe po ashtu pohoi se ka patur presion për amendimet e tij për hapjen e basteve online.
“Kam patur shumë presion. Nga miq dhe nga ata që nuk i njoh fare. Mjafton të shohësh telefonin tim”, tha Braçe.
Sa për akuzat e Arben Ahmetajt, Braçe tha ndër të tjera: “Kam rreth 40 vjet që nuk dëgjoj përralla. E kam të pamundur që të dëgjoj përralla në këtë moshë. Kështu që nuk di se çfarë të them”.