E ndërsa iu ka kërkuar falje jo vetëm për demokratëve, por edhe gjithë shqiptarëve, Basha tha se PD-ja në vend që të luftonte për interesat e vendit, ka luftuar për karrige dhe zyra brenda vetes.

Sakaq, Basha nuk i ka kursyer dhe akuzat për Sali Berishën, i cili është kthyer në kundërshtarin e tij kryesor.

“E di që në mendjet tuaja ka patur shumë pyetje që kërkonin përgjigje; mbi vendimet e të shkuarës, mbi qëndrimin për non-gratën, të cilave koha tashmë ju ka dhënë përgjigje. Sepse në fakt koha është treguesi më i mirë i vërtetësisë dhe drejtësisë së kauzave tona. Unë i kam marrë përgjegjësitë e mia si kryetari i PD, por një gjë dua të ndaj me ju sot: unë trashëgova një parti të transformuar nga partia e studentëve të dhjetorit në atë të një njeriu te vetëm. Nga partia e lirisë dhe demokracisë në parti të diktatit personal. Kjo merr fund sot njëherë e përgjithmonë! Ne nuk duhet të harxhojmë më asnjë sekondë me të shkuarën”, tha ai.

Për këtë arsye, ai tha se tashmë ka ardhur koha për një fillim të ri duke premtuar se PD do të rikthehet një alternativë qeverisjeje.

“Arsyeja pse jemi këtu bashkë, arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike është që t’ju shërbejmë njerëzve, jo vetes tonë! Qëllimi pse ekzistojmë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre. Dhe këto do të jenë udhërrëfyes i rrugës së re që nisim bashkë sot”, përfundoi Basha.