Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e prokurorisë së Lezhës në lidhje me vënien nën akuzë të zyrtareve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kurbin dhe ish-drejtorit te Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë Flori Gjini.
Arrestimi i drejtorit të Inspektoriati Mbrojtjes dhe Kontrollit të Territorit në Kurbin ka zbuluar një lidhje me “baronin e drogës”, Gëzim Çela në Patok. Sipas prokurorisë me mosvreprimet e tyre kanë lejuar ndërtimet pa leje në zonen e mbrojtur të Patokut, një prej tyre kompleksin ‘Royal Blue’ në pronësi të Gëzim Çelës. Kompleksi është në emër të Fatjon Frangajt dhe ka kaluar në sekuestro preventive dhe vijojnë hetimet. Objekti po ndërtohet në rrugën kryesore te Patokut dhe e bën krejt të ekspozueshëm për inspektorët që duhet të kishin ndërhyrë.
Por si duket zyrtarët e IVMT dhe IKMT nuk kanë kryer kontrollin në territor ashtu siç është edhe veprimtaria e tyre dhe aq më tepër qe behet fjale për një zone të mbrojtur. Ndërkohë kompleksi është një nga 13 subjektet që marrin inerte në lumin Mat dhe janë venë nen sekuestro preventive, pasi kane rezultuar pa dokumentacion dhe po hetohet ndaj inspektorëve që nuk kanë kryer kontrollin.
Si nisi hetimi
Në rastin e ndërtimeve në Patok, kjo ka ardhur me indicie, pasi ishte dërguar në gjykatë një i moshuar që po bënte shtesë dhe në seancën gjyqësore ka deklaruar se ndërhyrja e tij ishte mjaft e vogël, krahasuar me atë që po ndodhte në zonë. Për këtë arsye prokuroria nisi hetimet që kanë zgjatur rreth 6 muaj dhe pas verifikimeve ka rezultuar se nuk kishin leje e për pasojë një subjekt ka kaluar në sekuestro preventive dhe vijojnë hetimet.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë zhvilluar një aksion të madh në Fushë-Kuqe. Më 29 prill 2024, u arrestua drejtori i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Kurbinit, Jetmir Muzhika, i cili është pezulluar nga detyra së bashku me të gjithë trupën inspektuese të këtij dikasteri. Gjithashtu është caktuar masa e sigurisë “Arrest në Shtëpi”, ndaj ish-drejtorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë Flori Gjini, aktualisht Drejtor i Filialit të Postës. Zyrtarët e IVMT-së dhe ish-kreu i IKMT akuzohen për “Shpërdorim Detyre”, pasi sipas prokurorisë me mosvreprimet e tyre kanë lejuar ndërtimet pa leje në zonen e mbrojtur të Patokut.