Pas shumë javësh spekulime dhe “thashetheme” tani është e sigurt, Chelsea ka nxjerrë në shitje Armando Brojën.
“The Athletic” në Angli ka publikuar lajmin këtë të mërkurë, duke shpjeguar dhe situatën e sulmuesit shqiptar si dhe interesin që ka për të.
Media britanike shpjegon se Chelsea ka hapur dyert për largimin e 22-vjeçarit, ofertat 30-35 milion euro në drejtim të tij në fund kanë rezultuar joshëse për blutë, ndërsa largimi i tij do të ndodhë dhe nëse klubi nuk afron një zëvendësues.
“Chelsea ka dëshirë të lejojë Armando Brojën të largohet në mënyrë të përhershme dhe një largim i tij i mundshëm nuk është në varësi të blerjes së një zëvendësuesi nga ekipi.
Ka interes nga disa klube të ndryshme për sulmuesin 22-vjeçar, përfshirë Fulham, West Ham dhe Wolves. Çdo afrim i ri në janar ose në verë është i pavarur nga situata e Brojës, me Nkunku që pritet të kthehet nga lëndimi shpejt”, shkruhet nga ‘The Athletic’.
Edhe pse 22-vjeçari ka kontratë me ekipin deri në verën e 2028, te Chelsea janë joshur nga ofertat e shumta për shqiptarin dhe 30-35 milionë euro nuk janë pak për një futbollist që është produkt i Bluve.
Dy gola ka shënuar Broja këtë sezon te Chelsea, teksa u rikthye nga një dëmtim i gjatë që e mbajti jashtë për gati një vit.