Në Durrës është konfirmuar rasti i parë i Influencës Aviare i tipit H5N8, ose siç njihet ndryshe gripi i shpendëve.
Lajmin e bën të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ndërsa njoftohet se rasti është konfirmuar në një stabiliment në Durrës që mbarështon shpendë.
Siç njoftohet, gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik pasi Ministria e Bujqësisë ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave.
Analizat e njëpasnjëshme, në ditë të ndryshme, në kampione të ndryshme, në stabilimente të ndryshme, në të gjithë vendin, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen e laringotrakeik gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës.
Ndërsa vijoi gjurmimi dhe monitorimi prej sinjalizimit të parë për çdo ditë me testime, një kampion i marrë të shtunën 19 Mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8.
Hetimi epidemiologjik deri më tani njoftohet se flet për rast të izoluar.
Ministria e Bujqësisë njofton se është vendosur karantinimi, udhëzuar për masat e sigurisë dhe higjienës që duhet të zbatohen, janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nëprodukteve të tyre.
Autoritetet sugjerojnë që mishi i pulës të gatuhen në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara.
Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor.
“Nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit (shpendëve e vezëve). Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve po ashtu, prandaj praktikat e mira higjienike (dezinfektimi i sipërfaqeve) dhe higjiena personale (larja e duarve) ndihmon në kontrollin e rrezikut.
Nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit njoftojmë konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda standardeve të gjurmueshmërisë dhe janë të verifikuara nga inspektorët tanë, të cilët po rivërejnë në terren çdo subjekt tregtues, përpunues mishi shpendësh për një perputhje të plotë të gjurmueshmërisë.”