Kontaktet me një kryeqytet europian, pse Kryemadhi kërkon me çdo kusht marrjen e celularit të bllokuar nga SPAK ?
Monika Kryemadhi po përpiqet me çdo kusht të heqë nga duart e BKH-së celularin e kapur në banesën e nënës së saj.
Kryemadhi ka bërë rekurs në Gjykatë të Lartë, ku kërkon rikthimin e celularit të sekuestruar disa muaj më parë në kuadër të një hetimi.
Më herët, Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e Kryemadhit për rikthimin e celularit të sekuestruar.
SPAK po heton çiftin Meta në disa drejtime, përfshi edhe lëvizjet bankare të tyre, ndërsa duket se droja e Kryemadhit lidhet me sa duket me zbulimin e kontakteve me personazhe të caktuara në Austri si edhe një bankë në Shqipëri.
Më herët gazetarja Klodiana Lala tha në media se SPAK kishte sekuestruar celularin e Kryemadhit.
“Kohët e fundit SPAK ka sekuestruar një celular në shtëpinë e nënës së zonjës Kryemadhi, i cili është zbërthyer nga ekspertët dhe aty janë zbuluar shumë biseda, të cilat janë duke u parë dhe verifikuar nga hetuesit e BKH dhe prokurorët e çështjes. Ato konsiderohen si një provë shumë e rëndësishme për hetuesit, është duke shkuar në institucione të ndryshme, po pyeten dëshmitarë të ndryshëm për të pasur prova që do t’i shërbejnë kësaj çështjeje.
Duhet të kemi parasysh që janë disa dosje në një, për CEZ DIA, një dosje për lobimin në SHBA dhe disa shpenzime spitalore të zonjës Kryemadhi. Të gjitha këto çështje janë mbledhur në një të vetme dhe po hetohet në disa drejtime.
Disa prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Kryemadhit jo vetëm që u është bërë kontroll në banesat e tyre, por po u merren dhe celularët”, tha Klodiana Lala.