Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka paditur këtë të Martë në Gjykatën e Tiranës, televizionin “Top Channel”. Kryemadhi kërkon dëmshpërblim prej 400 mijë eurosh nga televizioni dhe heqje të disa raportimeve rreth saj, që deputetja i vlerëson të pavërteta. Raportimet lidhen me disa pagesa që sipas televizionit, Monika Kryemadhi ka marrë nga Rusia.

Padia – Në padinë e depozituar në dhomën civile, ish-kryetarja e LSI-së kërkon dëmshpërblim nga televizioni “për dëmin jo pasuror të shkaktuar si rezultat i fyerjes dhe shpifjes publike, me pasoje cenimin e nderit, personalitetit dhe reputacionit si individ dhe si politikane, në masën 400,000 (katërqind mijë) euro”.

Po ashtu kërkon nga “TCH” të heqë të gjitha shkrimet që përmbajnë thënie të pavërteta, në faqen e saj të internetit, portalet e lajmeve, kronikat dhe emisionet e publikuara prej saj në YouTube, për paditësen nga data 18.03.2023 e në vijim”.

Gjithashtu, kërkon “detyrimin e palës së paditur shoqëria ‘Top Channel’ sh.a., që të botojë me shpenzimet e veta në mediat kombëtare vendimin përfundimtar të gjykatës”, si edhe të “paguajë shpenzimet gjyqësore dhe avokatore”.