Deri në muajin shtator 2023, rreth 195 milionë euro (194,915,845 euro) llogaritet fatura e shtetit shqiptar për dëmshpërblimet ndaj vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) dhe Gjykatës së Arbitrazhit.

Në projektbuxhetin e vitit 2024 jepen të dhënat për detyrimet faktike dhe kontingjente nga vendimet e dy gjykatave ndërkombëtare, ku detyrimi më i lartë financiar është për çështjet e Arbitrazhit Ndërkombëtar. Totali i detyrimit faktik dhe kontingjent deri në muajin Shtator të 2023 arrin vlerën e rreth 173,1 milionë eurove.

Detyrim Faktik që është e detyrimi i cituar në një vendim përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit, i formës së prerë, për të cilin nuk janë finalizuar procedurat juridike brenda shtetit shqiptar është rreth 61 milionë euro.

Detyrim Kontingjent që është detyrimi i cituar në një vendim të Gjykatës së Arbitrazhit/, dhe/ose kontrata eventuale të studiove ligjore, për të cilin nuk kanë përfunduar procedurat ligjore llogaritet 112 milionë euro.

Nga tabela e të dhënave për faturën financiare me vlerë më të lartë të detyrimit kryeson çështja “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” të sipërmarrësit italian Francesco Becchetti. Detyrimi financiar ndaj këtij vendimi është 108 milionë euro.

Çështja u depozitua në Gjykatën e Arbitrazhit në 29 Qershor 2015. Vendimi përfundimtar u mor më 29 Mars 2023.

Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit kanë të bëjnë me zgjidhjen e konflikteve në mosmarrëveshjet dy ose shumëpalëshe, në ngarkim të shtetit shqiptar.

Për këtë arsye Ministria e Financave dhe Ekonomisë i vlerëson efektet financiare që shoqërojnë këto vendime, me risk të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit./Monitor