Gazetari Flamur Vezaj foli në lidhje me arrestimin e Dritan Rexhepit duke thënë se këtë të fundit e bënin të fuqishëm lidhjet me grupet kriminale që ka në Amerikën Latine dhe lidhjet me grupet shqiptare.
Në një intervistë gazetari, theksoi se për kapjen e tij u angazhua dhe DEA amerikane për shkak se Rexhepi ishte në kërkim nga disa vendeve.
Mes të tjerash ai theksoi se në vëzhgim ishte vënë gruaja dhe fëmijët e Rexhepit, çka çoi në prangat e këtij të fundit.
“Ajo që unë mendoj se e bën të fuqishëm Rexhepin janë lidhjet e tij kriminale me grupet e Amerikës Latine dhe me grupet shqiptare që kishin akses me grupet mafioze italiane nëpërmjet kontrollit të porteve.
Në porte të ndryshme të Europës disa shqiptarë kanë kontakte të drejtpërdrejta me grupe mafioze italiane për të nxjerrë sasi të mëdha të kokainës nga porte të ndryshme. Kjo e bënte të fuqishëm Rexhepin për shkak se kishte njohje.
Nuk kam parë në karrierën time që një personazh i tillë të pasqyrohet në aq shumë media ndërkombëtare.
Nga informacionet që kam, kontribues ka qenë dhe DEA- Amerikane për shkak se ishte një nga personazhet më në kërkim të të gjitha vendeve. Është një bashkëpunim mes Interpolit dhe DEA-s arrestimi i tij.
Mendohet se është njoftuar INTERPOL për vëzhgimin e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, që çoi deri në arrestimin e tij” tha ai.
I konsideruar si “koka” e kartelit të drogës, apo “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi akuzohet për vepra të shumta penale ndër të cilat edhe për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës disa vite më parë. Dritan Rexhepi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar i dyshuar për shumë vepra penale. Ai kërkohej edhe në Spanjë, Itali dhe Britaninë e Madhe si i akuzuar për trafikun e kokainës.
Në Shqipëri ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998.
Një vit më herët ishte arrestuar në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me Nadien Zeneli por do të arratisej nga ambientet e komisariatit të policisë Durrës.