Është arrestuar në Stamboll, një prej të shumë-kërkuarve të Europës, Dritan (Gramoz) Rexhepi, me origjinë nga qyteti i Vlorës.

Ai akuzohet nga autoritetet italiane si kreu i kartelit të drogës “Kompania Bello”, që transportonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Nga autoritetet shqiptare ai ishte në kërkim për porositjen e pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës.

Lajmin për arrestimin e tij e ka bërë me dije ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ku njofton se Dritan Rexhepi është arrestuar në operacionin e emëruar “Kartel”, i zhvilluar në qytetin turk nga autoritetet italiane dhe shqiptare.

Në banesën ku  u krye arrestimi I janë gjetur një kasafortë ku ai mbante pistoletë një sasi eurosh si dhe shumë ora të shtrenjta dhe varëse floriri.

Rexhepi akuzohet për trafikimin e sasive të mëdha të drogës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Nda tij rëndojnë edhe akuzat e vrasjes me dashje dhe rrëmbimit të personit, falsifikim i dokumenteve dhe armëmbajtje pa leje. Dritan Rexhepi njihet dhe për disa arratisje të bujshme nga burgjet e Europës.

PAMJET E OPERACIONIT:

Kush është Dritan Rexhepi?

Rexhepi është regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar) e Gramoz Rexhepi (emër shqiptar). Për shqiptarin ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.

Dritan Rexhepi (me shumë emra) në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit Kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu.

Po kur ka qenë hera e fundit e qëndrimit në Shqipëri e Dritan Rexhepit?  Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar më gjeneralitetet Lulzim Murataj, në datën 28.11.2011 dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikëkalimi dhe hyrja e fundit e tij, është në datën 16.11.2013. Të dhënat e pasaportës në emër të Lulzim Murataj, përputhen plotësisht me numrat e pasaportës së personit të arrestuar në Ekuador, me emrin Lulzim Murataj…”.

Në fakt teksa ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në nëntor 2013 nga pika e Kakavijës në Gjirokastër, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në vendlindje, pasi në muajin Gusht të 2014, ai u arrestua në Ekuador pikërisht me emrin false, Lulzim Murataj. Ky dokument tregon se:“…ka rezultuar se në datën 8.08.2014 në kuadër të një operacioni antidrogë “Balance” të zhvilluar në Ekuador, përveç shtetasve ekuadorianë është arrestuar dhe shtetasi shqiptar Lulzim Murataj, lindur Vlorë, posedues i pasaportës me nr.BB 3563478. Nga verfikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”. Dritan Rexhepi akuzohet në Shqipëri se porositi rrëmbimin e Jan Prengës.

Ai nisi rrugën e kriminalitetit me armë, herë duke grabitur e herë duke vrarë, ndërsa 10 vitet e fundit ka bindje të plotë se Dritan Rexhepi ndryshoi kurs duke u kthyer një trafikant droge.

Në vitin 2009 emri i tij rishfaqet nga mediat italiane pasi vlonjati ia del që të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë, në Pavia, bashkë me dy shqiptarë të tjerë. Dritan Rexhepi, Ylli Ndoji dhe Leonard Myrtaj, që të tre të akuzuar për krime të rënda arritën të arratiseshin natën e 11 marsit. I riu shqiptar kishte rënë në burgun e Italisë për një krim të rëndë të kryer në Venecia. Ndërkohë njëkohësisht kërkohej edhe nga Belgjika dhe Hollanda për trafik ndërkombëtare droge. Për tre vite duket sikur i kishin mjaftuar ‘vlonjatit’ për të “pushtuar” Europën.

“E DOGJI” NDESHJA E CHAMPIONS-it E DOGJI

Rexhepi zhduket sërish. Nga viti 2009-2011 vlonjati mban një profil të ulët duke iu shmangur Policisë me çdo kusht. Por nuk ia del dot. Në 2011 ai arrestohet për grabitjen e një banke në Barcelonë, në një moment kur në qytet festohej fitorja e Champions League nga ekipi i Barcelonës. Vlonjati dhe banda e tij kishin zgjedhur ditën e 29 majit, duke marrë parasysh se nuk do të binin shumë në sy për shkak të festimeve që po organizoheshin në qytet.

Por nuk shkoi sipas planit. Grabitja bëri bujë të madhe dhe policia vendase arriti që të kapte grupin e shqiptarëve mes të cilëve i shumë kërkuari Dritan Rexhepi.

Mister mbetet fakti se si ai shpëtoi nga drejtësia spanjolle pa u dënuar.

RISHFAQJA NË BELGJIKË

Të qëndruarit në hije duket se është diçka që nuk i pëlqente vlonjatit. Pas vetëm disa muajsh mungesë, ai rikthehet fuqishëm në Belgjikë, ku edhe u arrestua për t’u çuar në burgun e Antverp, në tetor të vitit 2011. Por duke qënë se nuk kishte bërë asnjë krim të rëndë do të ekstradohej në Itali.

Autoritetet belge i besuan pamjes së tij, duke mos e menduar ndonjëherë grabitjen. Dhe bënë shumë gabim. Rexhepi e mbajti lart reputacionin e tij duke u arratisur pa asnjë problem nga burgu i sigurisë së ulët. Në fakt shqiptarit nuk i kishin vënë rëndësi, se burgu ku ishte strehuar Rexhepi është një nga më të vjetrit në Belgjikë dhe nuk konsiderohet i përshtatshëm për kriminelët serioze.

“Ka vetëm dy roje të pranishëm për 120 persona, kështu që mundësia e arratisjes është shumë e lartë,” thuhej në raportin e Ministrisë së Drejtësisë pas arratisjes.

Anglia, “toka e ëndrrave”

Më vonë flitej se ndodhej në Angli dhe figuronte ndër 18 më të kërkuarit në Mbretërinë e Bashkuar. ‘Scotland Yard’ publikoi foton e tij duke shkruar se ai ishte një nga 17 të huajt më të rrezikshëm që gjendeshin në tokën e tyre, duke lënë në dispozicion të qytetarëve edhe numrin e telefonit ku mund të jepnin informacion mbi vendndodhjen e tij.

Nuk e kapën dot kurrë. Nuk dihet nëse ishte zotësia e tij për t’u fshehur mirë apo sepse kishte qënë në Angli vetëm për një moment tranzit pasi në mendje kishte diçka tjetër.

SUPERKAPJA NË QUITO/ Si u zbulua Gramoz Rexhepi

Asnjë nuk u vërtetua deri kur u arrestua sërish, ndërsa me vete kishte një pasaportë greke. Në qershor të 2014, me identitet tjetër, pamje të tjerërsuar Gramoz Rexhepi mbeti për më shumë se një muaj i paidentifikuar. Superoperacionin i Policisë në Quito të Ekuadorit, ku edhe u kapën 278 kilogramëve kokainë, prangosi edhe vlonjatin.

Në atë operacion u tha se personat që transportonin lëndën e kushtueshme ishin me kombësi të ndryshme, ku u tha se mes tyre kishte edhe vendas. Çudia ishte se mes të arrestuarve rezultonte se ishte edhe baba i Dritanit, P. Rexhepi. Në skenë, për të sqaruar gjithçka hyri dhe motra e tij Entela, e cila u shpreh se nuk kishte lidhje babai. Ajo pohon se të atit të saj i kishte humbur pasaporta nga fundi i marsit të atij viti dhe se ai e kishte zëvëndësuar.

Ndërkohë Dritan Rexhepi qëndronte në burg pa u identifikuar. Ishin gjurmët e gishtave ato që zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht 34-vjeçari, në atë kohë, nga Vlora.

Aktualisht ndaj Rexhepit ka dy kërkesa për ekstradim, njëra nga Shqipëria dhe tjetra nga Italia, por vetëm njëra prej tyre do të hyjë në fuqi.