
Nuk dihet ende se ku ka gabuar, por Taulant Balla po e humbet gjithmonë e më shumë pushtetin brenda Partisë Socialiste.
Pasi kryeministri Rama e shkarkoi si Ministër të Brendshëm pas vetëm 1 viti në detyrë, pa ndonjë motivacion, tashmë Taulant Balla duket se do të humbë edhe pozicionin si drejtues politik në qarkun e Fierit.
Këtë vend pritet ta marrë Belinda Balluku, zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës që po fiton gjithmonë e më shume pikë në sytë e Ramës, aq sa ministritë më të rëndësishme po drejtohen nga ish vartësit e saj.
Dje, Balluku ka publikuar një video nga Fieri ku është pritur me një tortë që mban emrin e saj “Belinda”, teksa ishte e shoqëruar nga deputetja Antoneta Dhima.
Kjo ishte edhe video paralajmëruese e ndryshimit në PS, pasi Balluku do të lërë Dibrën për të drejtuar tashmë Fierin për zgjedhjet e vitit 2025.
Nga ana tjetër, nuk dihet nëse Balla do të zhvendoset të drejtojë ndonjë qark, apo do të mjaftohet vetëm me emrin në listën e sigurt të deputetëve.