Kuvendi votoi më 15 shkurt ligjin për të rikthyer bastet sportive, pas më shumë se pesë vitesh të shpallura të paligjshme, por të pabllokuara asnjëherë.

Bastet u ndaluan nga 1 janari i 2019-s. Por, aktiviteti lulëzoi masivisht në të zezë, ku fituesit e mëdhenj ishin organizatorët  e basteve ndërsa i humburi i madh buxheti i shtetit, që për gjashtë vite nuk mblodhi asnjë taksë nga kjo industri.

Legalizimi i basteve sportive online u përfol që të hyjë në fuqi që prej vitit 2023. Në relacionin shoqërues të projektit të paraqitur në atë kohë nga Ministria e Financave parashikohej që vetëm nga kjo kategori të ardhurat në formë takse e tatimesh të ishte rreth 17 milionë euro.

Nëse kjo shifër shumëzohet me pesë vite, aq kohë sa ky aktivitet u shpall i paligjshëm, atëherë buxheti i shtetit ka humbur të paktën 85 milionë euro në formën e taksave, para këto që kanë përfunduar në duart e organizatorëve, që në jashtligjshmëri përgjithësisht është marrë përsipër nga krimi i organizuar.

Zvarritja e legalizimit

Rihapja e basteve sportive u përfol që në fillim të vitit 2022. Në industrinë që lulëzonte në të zezë u përfol data 1 qershor e atij viti. Afati u shty, ndërsa në fund të 2022 Qeveria konfirmoi për herë të parë se kishte ndërmend të legalizonte sërish këtë aktivitet.

Për këtë qëllim u hartua edhe drafti dhe relacioni shoqërues nga ana e Ministrisë së Financave. Projektligji u hodh përkohësisht edhe për konsultim publik me grupet e interesit. Propozimi fillestar vendoste kritere të forta për licencimin, ndërsa një pjesë e mirë e të ardhurave nga ky aktivitet u tha se do të shkonte për sportin.

Pati ide që në komisionet e licencave të përfshiheshin edhe federatat sportive dhe vendimmarrja të mos ishte ekskluzivitet i Qeverisë. Problemi ishte se projekti fillestar i propozuar, siç pohojnë burimet të Voxnews.al, familjare me procesin e konsultimit në atë periudhë, nuk përputheshin me interesat e atyre që ushtronin këtë aktivitet në të zezë.

Kjo çoi në zvarritjen e projektligji dhe ndryshimin e tij. Ndryshimet në thelb nuk prekën kriteret e forta për lëshimin e licencave.

Por, çfarë ndryshoi që ligji u miratua?

Ligji i miratuar më 15 shkurt ka disa ndryshime thelbësore sa i takon se kush do ta japë licencën.

Ligji parashikon ngritjen e një komisioni prej shtatë anëtarësh pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Anëtarët propozohen nga Ministria e Financave, nga Ministria e Ekonomisë, ministria e çështjeve sociale, ajo e drejtësisë, një përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe një tjetër nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.

Projektligji pësoi dy ndryshime të minutës së fundit. Së pari, hoqi nga komisioni i licencave ministrinë përgjegjëse për sportet dhe e futi në këtë komision Ministrinë e Brendshme të drejtuar nga Taulant Balla dhe së dyti, hoqi nenin që caktonte automatikisht kryetar të komisionit përfaqësuesin e Ministrisë së Financave dhe vendos caktimin e kryetarit me votim të fshehtë të të shumicës së anëtarëve të komisionit.

Ligji vendos gjithashtu një standard të dyfishtë sa u takon emërimit të anëtarëve të komisioneve. Në pikën e tretë të nenit 17/1 të tij, ligji thotë se ministrat, pra pesë nga shtatë anëtarë të komisionit mund të emërohen persona që nuk ushtrojnë aktualisht funksione publike. Pra që nuk janë pjesë e ministrive përkatëse, ndërsa nuk e bën këtë përjashtim për përfaqësuesit e Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.

Neni duket i kopsitur dhe është shtuar në ligj pasi ndonjë nga pesë ministrat që do të emërojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision ka gati emrin dhe tashmë bëri edhe ligjin. Burime të Voxnews.al pohojnë se të treja ndryshimet në fjalë janë nxitur nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla me qëllim kontrollin e licencave që do të jepen në kuadër të këtij ligji.

Burimet shtojnë se veç ligjit klientelist, Balla ka influencuar dhe po influencon edhe te organet e tjera përgjegjëse në nxjerrjen e VKM-ve, rregulloreve dhe udhëzimeve në zbatim të këtij ligji me qëllim që të ketë në dorë vendimmarrjen se kush do të marrë licencën dhe kush jo.