Nëse termi vëllezërit armiq në PS do të përdorej për dikë, ai do t’i shkonte para së gjithash Erion Veliajt dhe Arben Ahmetajt. Brenda rrethit të ngushtë të rilindjes nuk ishte sekret se të dy politikanët urreheshin deri në neveri dhe i ruheshin si djalli temjanit njëri- tjetrit.

Por kjo ndjenjë armiqësie u bë më e fortë pasi u hapën fjalët se Ahmetaj qëndronte pas ‘tradhëtimit të shokëve’, e që nxirrte abuzimet tek inceneratori i Tiranës. Diku para zgjedhjeve të vitit 2021, ish presidenti Meta dhe bashkëshortja e tij në krye të LSI, Monika Kryemadhi, filluan të nxjerrin dokumenta të panjohura deri më atëhere që rrëfënin abuzimin e madh me inceneratorët. Njëri prej tyre ishte edhe ai që tregonte se kryebashkiaku i Tiranës kishte firmosur në tejkalim të kompetencave, duke anashkaluar Këshillin Bashkiak për t’i hapur dritën jeshile djegësit që do të ndërtohej në Sharrë.

Por megjithë këtë, ende para zgjedhjeve të përgjithshme, dyshimet nuk kishin rënë mbi Ahmetajn. Dhe megjithëse Erion Veliaj e urrente ministrin e Rindërtimit, ashtu sikurse e tregon edhe videoja e mëposhte ata i ruanin aparencat. Në një video në fushatë, kryebashkiaku ngre lart punën e socialistit, tashmë të shpallur në kërkim, për rindërtimin nga tërmeti dhe për sigurimin e vaksinave (këtu poshtë).

Lojtës Videosh

As Rama, dhe si rrjedhim as të tjerët, nuk kishin prova se tradhëtia kishte ardhur nga brenda. Kjo shpjegon dhe faktin se në kabinetin e tretë socialist, Arben Ahmetaj, me gjithë dyshimet, u gradua si numri dy i qeverisë. Pikërisht me këtë kohë përkon edhe tratativa e ish bosëve të inceneratorëve për t’u hakmarrë kundër Ahmetajt. Nuk dihet se në ç’mënyrë ata arritën ta bindin Ramën, por pa mbushur as një vit në detyrë, zv kryeministri u shkarkua në mënyrë të beftë.

Nga ky moment, të dirigjuara nga Viena, media shumë pranë qeverisë dhe bashkisë nisën denoncimin e Arben Ahmetajt. Ata zhvilluan një fushatë të ashpër mediatike për të goditur njeriun që për të “ruajtur prapanicën e vet kishte shitur shokët”. Pikërisht në këtë kohë, edhe Erion Veliaj doli hapur në urrejtjen që për shumë kohë e pati mbajtur përbrenda. Ai filloi të zbusë marrëdhëniet e vështira që kishte pasur me Belinda Ballukun, Damian Gjiknurin, madje dhe me Saimir Tahirin, vetëm për t’u përqëndruar tek armiku kryesor.

Kur në mars të këtij viti Saimir Tahiri doli përkohësisht nga burgu për të marrë pjesë në varrimin e të atit, Veliaj i shkoi për ngushëllim. Dëshmitarët e këtij takimi i kanë treguar Lapsi.al se të dy rivalët e dikurshëm i kishin hedhur pas krahëve kohët e vjetra sepse ishin bashkuar në pikturimin me ngjyra të errëta që i bënin Ahmetajt. Edhe ky i fundit e pati kuptuar këtë. Kur në një intervistë në “Opinion” ai u pyet nga Fevziu për inceneratorin e Tiranës, përgjigjja ishte plot helm: “për Veliajn pyesni kryeministrin”.

Edhe sot kur Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe fati i tij politik duket se nuk ka më kthim pas, beteja nuk ka mbaruar. Në oborrin e afërt të Veliajt janë të bindur se ish miku që tradhëtoi Zoton dhe Mërtirin po përdor influencën e tij nga larg për të çuar vëmendjen drejt abuzimeve që janë kryer në inceneratorin e Tiranës. Madje mediat që mbrojnë Veliajn po akuzojnë edhe disa opozitarë dhe gazetarë se luajnë për llogari të Ahmetajt dhe përqëndrohen vetëm te Tirana.

Klanet e rilindjes janë ndarë në dysh. Njëra palë pompon vetëm një gjysëm të vërtetë: atë se Ahmetaj e kundërshtoi inceneratorin e Tiranës dhe se garancinë për ta paguar atë e mori përsipër Veliaj. Pala tjetër pretendon një gjysëm të vërtetë të kundërt: atë se gjithçka është iniciuar nga shoku i dikurshëm i Zotos dhe Mërtirit. Dhe kjo betejë Veliaj- Ahmetaj duket se do vazhdojë, jo për të debatuar nëse është vjedhur apo jo, po për të treguar se cili është hajduti më i madh në majën e pushtetit.

©Lapsi.al