Një kullë e re me 30 kate me formën e gishtave të dorës është ndërtesa më e re që i shtohet ansamblit të kullave në Tiranë. Në mbledhjen e fundit Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për Manhattan 1, një godinë banimi dhe shërbimesh 107 metër e lartë në rrugën Asim Vokshi.

Bëhet fjalë për kryqëzimin e kësaj rruge me rrugët Mine Peza dhe Don Bosko. Sipas dokumentave të depozituara në KKT, kulla do të ndërtohet nga kompania Forever Construction që zotërohet nga biznesmeni Lefter Sota.

Në vendin ku do të ndërtohet ky projekt, më parë gjendeshin disa pallate të vjetra silikat me 5 kate të ndërtuar gjatë kohës së komunizmit. Por këto ndërtesa tashmë janë shembur nga kompania ndërtuese në marrëveshje me banorët, për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullës së re voluminoze, me një intensitet të lartë ndërtimi dhe formën e gishtave të dorës të ngritur lart. Gati gati, njësoj si posteri i famshëm elektoral i Belind Këlliçit me gishtin e mesit kundër korrupsionit, i cili shkaktoi debate të shumta pak javë më parë.

Paralelisht me kullën e Don Boscos, kompania Forever Construction shpk mori leje ndërtimi edhe për dy komplekse të tjera kullash në zona të ndryshme të Tiranës, në mbledhjen e fundit të KKT-së, përfshirë kompleksin tek ISH UET, që parashikon ndërtimin e një kulle në formën e cilindrit me 18 kate dhe dy ndërtesa të tjera 11 dhe 12 kate, në një sipëfaqe totale ndërtimi prej 100 mijë metrash.